Pas deklaratave të Zv/ndihmës Sekretarit në Byronë për Çështjet e Evropës dhe Euro-Azisë Matthew Palmer, aleatët e Partisë Demokratike Dashamir Shehi dhe Agron Duka, në një intervistë për ABC News, i kanë komentuar qëndrimet e zyrtarit të DASH, si brenda standarteve diplomatike.
Deklaratat e zyrtarit të DASH Matthew Palmer të konsideruara si shuplakë ndaj aksionit opozitar, aleatët e demokratëve Dashamir Shehi dhe Agron Duka i shohin si të pritshme dhe brenda kornizës diplomatike.
Dashamir Shehi shprehet se:
“Unë gjykoj që janë brenda standartit diplomatik, nuk kam dëgjuar ndonjëherë të thonë nuk është legjitime qeveria, i bie që atë ditë të fillojë revolucioni, ndaj Z.Palmer ndenji brenda kufijve të diplomacisë”.
Ndërsa Agron Duka tha se:
“Axhenda e Palmer nuk ishte për krizën politike, natyrisht braktisja e institucioneve gjykohet si negative dhe mendoj se ka folur parimisht pa e parë gjendjen në detaje”.
Për Shehin, takimi i zhvilluar në selinë blu me kreun e opozitës Lulzim Basha, ka ndihmuar në krijimin e një ideje të qartë mbi situatën në vend.
“Nga kjo pikëpamje, takimin që pati me opozitën e quajmë pozitiv. Fatkeqësisht në Shqipëri, ndodhi një krim i rëndë gjatë qëndrimit të tij këtu. Kjo gjë e ka sqaruar edhe më mirë gjendjen, vetë departamenti e njeh problematikën shqiptare dhe e shprehu në raportin e tij”, tha ai.
Për aleatët e Partisë Demokratike, të huajt po interesohen për situatën në Shqipëri dhe kjo vjen pikërisht pas djegies së mandateve të deputetëve.
“P.sh deklarata e ambasadorit italian që mazhoranca duhet të bëj hap prapa është domethënëse”, tha Duka.
“S’ishte thënë deri më sot nga të huajt se mazhoranca duhet të bëj një hap prapa. Kjo nuk është çështje që proteston opozita, por cili është reagimi nga kjo mazhorancë”, nënvizon Shehi.
“Ka zëra, si nga Bundestagu Gjerman, njerëz të kancelerive të ndryshme, mediat botërore, të cilat tashmë po shohin kush është shkaku i kësaj pasoje. Si ka mundësi që një opozitë në zemër të Evropës, të marrë një veprim in- ekstremis të djegies së mandateve”, u shpreh Duka.
Për sa i përket zgjedhjeve Dashamir Shehi thotë se:
“Sigurisht edhe ne mendojmë që zgjedhjet duhet të bëhen. Ne gjykojmë që zgjedhjet janë e vetmja mënyrë, për të ndryshuar pushtetin. Sigurisht me kushte të tjera nga këto që janë sot”.
Duke bërë dallimin stabilitet – demokraci, Shehi mendon se:
“Realiteti fatkeqësisht është shumë i rëndë, nuk është i rëndë se e marrin vesh të huajt, por sepse e jetojnë shqiptarët. Të huajt sigurisht që e shohin nga pikëpamja e interesit të vet, ata kanë vënë stabilitetin përpara demokracisë. Mendoj që, ne meritojmë një minimum demokracie dhe respekti për punën e shqiptarëve të ndershëm, nuk mund ta dorëzojmë pushtetin në duart e 10 apo 15 vetave, vetëm sepse u ka rënë pushteti në dorë atyre”.
Ndërsa Agron Duka shprehet:
“Duke marrë parasysh edhe kohën, duket sikur vëmendja ndaj Shqipërisë nuk është në fokus, por në një kohë të afërt besoj do jetë më shumë. Insistoj se opinioni ndërkombëtar ka rëndësi, por më shumë rëndësi ka cfarë bëjmë ne dhe opinioni vendas, për zgjidhjen e krizës”.
Thellimi i kësaj krize, do të sjellë si pasojë edhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, theksojnë aleatët sipas të cilëve zgjidhja në mënyrë pozitive do të vijë pikërisht përmes kësaj rruge./abcnews.al