Aleatët në listat e PD-së? Gazment Bardhi: Do të kemi një marrëveshje transparente

schedule22:00 - 30 Shtator, 2020

schedule 22:00 - 30 Shtator, 2020

Sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi nga Shkodra ku ndoqi nga afër procesin e votimit në parti për kandidatët u shpreh se emrat që janë në listë janë personalitete që e përfaqësojnë mjaft mirë qarkun. Ai u shpreh se tani që gara e brendshme përfundoi, kandidatët duhet të bashkohen për t’i siguruar fitoren e thellë PD-së në qarkun e Shkodrës

Përfundoi procesi i konfirmimit, nga numërimi i votave rezulton që 23 kandidatët që komisioni propozoi janë konfirmuar nga anëtarësia e partisë. Nga përpunimi i të dhënave, rezulton se nga 3100 qytetarë, morën pjesë 2178 anëtarë të partisë demokratike dega Shkodër. Procesi përfundon këtu, lista i përcillet për vlerësim komisionit të vlerësimit dhe më pas kandidaturat do të shqyrtohen nga kryesia e partisë dhe këshilli kombëtar i partisë”.

Ai mohoi se ka luftë dhe përçarje brenda PD-së. “Unë e kam ndjekur procesin në Shkodër dhe gjithë qarkun, pasi kam qenë i deleguari i partisë, nuk më rezulton të ketë numër kaq të lartë kontestimesh. Edhe në Malësi të Madhe edhe në Shkodër u konfirmuan të gjithë kandidatët. Kjo tregon frymë bashkimi, gara e brendshme përfundoi, sot secili prej kandidatëve do të jenë të gjithë bashkë për t’i siguruar fitoren e thellë PD-së në qarkun e Shkodrës. Lista e konfirmuar sot përmban personalitete”.

I pyetur nëse brenda listave të PD-së do të jenë edhe aleatët, Bardhi tha se kjo do të përcaktohet nga marrëveshja. “20% e kuotës që ka Kryesia e partisë është për kandidatët e partisë Demokratike, partitë tona aleate do të kenë një marrëveshje transparente me PD-në dhe mbi bazën e rezultateve të negociatave do të përcaktohet nëse do të kenë vend kandidatët e tyre në listat e PD-së. Koalicioni opozitar në Shkodër dhe Shqipëri do të jetë fitues” përfundoi ai./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!