Kreu i VV-së, Albin Kurti ka refuzuar ftesën e dytë të Presidentit Hashim Thaçi.
Përmes një letre Kurti e ka falenderuar për dy ftesat presidentin, duke e kritikuar atë që fillimisht i kishte përcjellë te portalet.
“Sot isha jashtë vendit. Nuk do të mund të vij as sonte”, ka thënë ai. Kurti me tej ka thënë se për t’u konsultuar për mandatarin do të takohen ditëve në vijim.
Thaçi e ka ftuar sot dy herë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, për të caktuar mandatarin për formimin e Qeverisë. Takimi ishte parashikuar të mbahej në orën 13:30 në kabinetin e Presidentit të Kosovës, por u refuzua nga Kurti, duke thënë se nuk ishte në Prishtinë. Ftesa e dytë ishte për në orën 20:00, e cila u refuzua përsëri nga kreu i VV.
Letra e plotë e Kurtit:
I nderuari President i Republikës së Kosovës,
Ju faleminderit për dy ftesat e sotme që të takohemi sot, ftesa këto që fillimisht publikoheshin nëpër portale pastaj mbërrinin në zyrën tonë.
Sot isha jashtë vendit. Nuk do të mund të vij as sonte.
Për t’u konsultuar për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë, takohemi gjatë ditëve në vijim.
Ndërkohë po i shqyrtoj këto nenet që i keni përmendur në dy letrat tuaja.
Sinqerisht,
Albin Kurti.
/abcnews.al