“Albin Kurti po heq dorë nga parimet që mbronte”, Ymeri: S’mund të ketë dialog pa njohjen e pavarësisë

schedule09:35 - 22 Shkurt, 2020

schedule 09:35 - 22 Shkurt, 2020

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri është shprehur se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po heq dorë nga parimet të cilat i ka mbrojtur kur ishte në opozitë. Sipas tij nuk duhet të flitet me Serbinë për dialog, nëse nuk ka njohje të pavarësisë.

“Po shoh se Kurti ka hequr dorë nga shumë parime që ka patur në opozitë. Unë mendoj se nuk duhet të flitet me Serbinë për dialog pa njohje. Ajo marrëveshje që duhet të arrihet për të patur njohje mes dy vendeve”, theksoi Ymeri.

Ndërsa foli edhe për raportet e Kurtit me SHBA-të ai u shpreh se raportet duhet të mirëmbahen, por jo çdo gjë duhet të bëhet sipas kërkesave të tyre.

“Mendoj që raportet me SHBA duhet të mirëmbahen, por nuk do të thotë se gjithçka duhet të bëhet sipas kërkesave që vijnë nga jashtë. Gjatë gjithë kësaj kohe dy partitë në pushtet i kanë thënë publikut se jemi marrë vesh për programin qeverisës, por si nuk janë marrë vesh për një temë shumë të rëndësishme siç është dialogu me Serbinë”, tha Ymeri.