Albin Kurti: Marrëveshja qeverisëse me LDK-në arrihet brenda 1 muaji

schedule14:21 - 21 Tetor, 2019

schedule 14:21 - 21 Tetor, 2019

Një marrëveshje bashkëqeverisje në Kosovë pritet të finalizohet brenda një muaji. Kështu shprehet Albin Kurti, sipas të cilit prioritet i qeverisjes Vetëvendosje-LDK do jetë punësimi e drejtësia e jo marrëveshja me Serbinë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje e cila doli fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit në Kosovë, është në bisedime me LDK-në, e cila doli e dyta, për të formuar qeverinë e re, ku së paku 30% do të jenë gra. Kurti tha në një intervistë për “The Guardian” se pret që marrëveshja për qeverisje me LDK-në do të arrihet brenda një muaji dhe se prioritet i tij është punësimi dhe drejtësia, e jo marrëveshja me Serbinë.

Lideri 44 vjeçar premtoi se do t’i japë fund asaj që ai e konsideron kapje të gjyqësorit nga shteti dhe pohoi se është i interesuar për një proces të ri vetingu të drejtuar nga një kryeprokuror dinamik. Kurti tha se disa prej prokurorëve nuk kanë njohuri e disa nuk kanë guxim, por disa të tjerë nuk i kanë asnjërën. Ata duhet të çlirohen nga shteti, tha ai.

I përballur me borxhin në rritje dhe emigracionin, Kurti thotë se ai është i përkushtuar që të përqendrohet në edukimin teknik dhe uljen e varësisë së industrisë tek normat gjymtuese të interesit të bankave të huaja:

Lidhur me taksën e vendosur nga qeveria Haradinaj ndaj Serbisë, Kurti paralajmëroi se taksa 100% e vendosur nga paraardhësi i tij ndaj mallrave serbe do të hiqet vetëm nëse imponohen masat e plota reciproke për të liruar tregtinë e Kosovë në Serbi. Ai tha se Beogradi duhet t’i japë fund fushatës diplomatike ndërkombëtare për t’i bindur shtetet të tërheqin njohjet e Kosovës.

Udhëheqësi i Vetëvendosjes theksoi se Serbia duhet të përballet me të kaluarën e saj, në vend se të shikojë Kosovën e Shqipërinë me dylbi ushtarake. Serbisë i duhet një vetë-analizë, tha ai.

Kurti tha se programi i tij tre-fazësh do të nis me një dialog me serbët e Kosovës për bashkëpunim praktik, për shembull në bujqësi, duke vazhduar me një rishikim të efektit të vërtetë të 33 marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë nën mbikëqyrjen e BE-së nga viti 2012, dhe në fund një takim me Josep Borrellin, shefi i ri i politikës së jashtme të BE-së.

Albin Kurti theksoi se është krejtësisht kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë ndërkohë që vuri në dukje se flamuri i Kosovës i ishte imponuar vendit me një vendim që të mos përmbajë ngjyrën e kuqe, të zezë dhe shqiponjën, thuajse Kosova po e shpallte pavarësinë “nga Shqipëria, e jo nga Serbia”.

Por ai u zotua se në kapacitetin e tij zyrtar si kryeministër ai do ta mbajë dhe respektojë flamurin zyrtar të Kosovës.

Politikani i majtë që pritet të bëhet kryeministri i ri i Kosovës dënoi vendimin e BE-së për të bllokuar zgjerimin e BE-së, duke thënë se kjo tregon që liderët Perëndimorë kanë harruar mësimet e mësuara nga dy luftërat botërore dhe në vend të kësaj u tërhoqën përballë fashizmit dhe populizmit.

“BE-ja u formua si përgjigje ndaj fashizmit, por tani po tregohet e frikësuar përballë populistëve dhe fashizmit”, tha Kurti.

Udhëheqësi i Vetëvendosjes kritikoi qëndrimin e presidentit francez Macron, I cili kërkon reformism të brendshëm të BE-së para se të vazhdohet me zgjerimin. Kuri nënvizoi se reformat e brendshme në BE dhe zgjerimi i jashtëm shkojnë njëra përkrah tjetrës.

“BE-ja është e rëndësishme për Ballkanin, por Ballkani është shumë i rëndësishëm për BE-në. Berlini dhe Parisi duhet ta dinë këtë mirë, dhe është vërtetë trishtuese, për të gjithë ne, se ata po e harrojnë këtë. Në rreth dy dekada, historianët do të shkruajnë se nuk kanë qenë dy luftëra botërore, por vetëm një me dy episode, dhe e gjitha nisi në Sarajevë”, theksoi ai.

Kurti vuri në dukje se ky qëndrim i BE-së mund të dëmtojë mundësitë e Kosovës për të arritur një marrëveshje me Serbinë, e cila ka refuzuar ta njohë pavarësinë e saj./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!