Albin Kurti bisedë me Merkelin: Më konfirmoi mbështetje për vizat dhe patentat

schedule21:43 - 17 Maj, 2021

schedule 21:43 - 17 Maj, 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë me kancelaren gjermane Angela Merkel, ku tema të diskutimit kanë qenë cështjet e brendshme lidhur me reformat e qeverisë së re në Prishtinë, dialogu me Serbinë, por edhe liberalizimi i vizave.

“Sot pata një takim virtual me Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel.

E falënderova kancelaren për takimin dhe letrën e urimit me rastin e zgjedhjes kryeministër, dhe përkrahjen e ofruar aty për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj, teksa pranova urimet e saj për fitoren plebishitare.

Gjatë bisedës e sigurova kancelaren Merkel për përkushtimin tonë në realizimin e planeve për reforma në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe angazhimin për tërheqjen e investimeve, të cilat krijojnë vende të reja të punës nëpërmjet përfshirjes së afaristëve gjermanë dhe mërgatës së madhe shqiptare që jeton në Gjermani. Në diskutimet për mërgatën e Kosovës në Gjermani, kancelarja theksoi se është duke shikuar me vëmendjen e duhur çështjen e njohjes së patentë-shoferëve të Kosovës.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, u pajtuam se ai duhet të jetë dialog i drejtë, i ndërtuar mbi mirëbesim dhe që për rezultat duhet të ketë njohjen reciproke, kurse shtova se pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial nuk mund të jenë temë e bisedimeve – nuk mund të kthehemi para vitit 2008.

Biseduam edhe për Procesin e Berlinit dhe rëndësinë e tij në nxitjen e bashkëpunimit rajonal. Në pritje të Samitit të Berlinit, që pritet të mbahet në fillim të korrikut, theksova se rajoni ka nevojë për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, por jo për projekte si zëvendësim i BE-së. Bashkëpunimi ekonomik duhet të shkojë paralelel me demokratizimin e rajonit.

Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim dhe Gjermania mund të ndihmojë ta shtyjë këtë çështje përpara. Në takim, mora konfirmimin e kancelares Merkel për mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës” shkruan Kurti./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!