Alban Ramosaj është shpallur fitues i festivalit “Kënga Magjike 2021”. Kënga “Thikat e mia” arriti të rrëmbente çmimin e madh të edicionit të 22-të të festivalit duke siguruar shumicën e pikëve nga kolegët, juria dhe publiku.
Në vendin e dytë u renditën Flori Mumajesi dhe Klajdi Haruni me këngën “E para”. Këngëtarja gjeorgjiane, Nutsa e rendit në vendin e tretë. Pasi mori kupën, Albani u përlot dhe fitoren ia dedikoi nënës së tij.
“Nuk kam fjalë, faleminderit të gjithëve, ndihem më i vlerësuar se kurrë. Falenderoj bashkëpunëtorët dhe të gjithë që më kanë votuar. Por dikë dua të falenderoj më shumë. Mami, kjo është për ty!”, tha Ramosaj.
Ky edicion i “Kënga Magjike” u zhvillua ndryshe nga çdo herë tjetër për shkak të pandemisë. Festivali nuk u zhvillua në Pallatin e Kongreseve por në ambientet e Tv Klan ndërsa pati një numër shumë të kufizuar spektatorësh në skenë. /abcnews.al