Partizani shkon i tronditur në derbin e kësaj jave ndaj Tiranës. Portieri dhe kapiteni Alban Hoxha mbetet ende në qeli, pas ndalimit nga policia.
Nuk dihet nëse do të jetë në këtë autobus të premten. Kapiteni i Partizanit, Alban Hoxha, rrezikon seriozisht derbin e Superligës me Tiranën, pasi u ndalua nga policia, i akuzuar për drejtim të makinës nën efektin e alkoolit. Portieri i të kuqve mbeti në qeli edhe për 24 orë të tjera, pasi seanca gjyqësore ndaj tij u shty. Kjo do të thotë 24 orë më pak regjim dhe më pak mundësi për t’u stërvitur me shokët, aq më shumë që kapiteni vjen nga dëmtimi.
Burime në Policinë e Tiranës pohojnë se ndalimi i tij mund të mos kishte ndodhur, por gjithçka u bë e detyrueshme pas kundërshtimit që portieri i bëri oficerit. Seanca do të zhvillohet paraditen e kësaj të marte dhe Hoxha pritet të lirohet në sallën e gjyqit dhe të bashkohet me skuadrën. Ai besohet se do të gjykohet në gjendje të lirë, por gjithsesi, sipas ligjit ekziston rreziku për t’u dënuar me burg. Edhe nëse kjo nuk ndodh, shqetësimi për trajnerin Skënder Gega është i madh, pasi kjo ngjarje pritet të ndikojë negativisht tek vetë portieri, por edhe tek skuadra.
Momenti nuk duket aspak i mirë për Partizanin, i cili fundjavën e kaluar humbi ndeshjen e Superligës ndaj Flamurtarit në Vlorë, ndërsa acarim. Klubi nuk ka dashur të komentojë, por padyshim pritet që drejtori sportiv, Olsi Rama, të marrë masë ndëshkuese për kapitenin. Partizani kryeson Superligën me 31 pikë pas 14 javësh, dhe ka pasur bilanc pozitiv me Tiranën vitet e fundit, veçse derbi mbetet ndeshje delikate, që bëhet më e vështirë nga rasti i Alban Hoxhës./abcnews.al