Alarmi nga fruthi, ISHP: Vaksinimi ul përhapjen/ Shtohen rastet në Shqipëri, më të prekur janë fëmijët

schedule12:50 - 5 Janar, 2025

schedule 12:50 - 5 Janar, 2025

Rënia e nivelit të vaksinimit ka rritur rastet me fruth.  Shqetësimi ngrihet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë sipas së cilës shumë shtete nuk kanë arritur nivelet e imunizimit të para pandemisë.

As Shqipëria sipas Institutit të Shëndetit Publik deri në fund të vitit që lamë pas nuk e arriti mbulesën që i nevojitet çdo komuniteti për të parandaluar shpërthime të një prej sëmundjeve më ngjitëse.

Ndryshe nga shumë shtete në Europë në Shqipëri nuk pati  transmetim të qëndrueshëm të sëmundjes. Megjithëkëtë rastet e shfaqura sipas mjekëve treguan rëndësinë e vaksinimit.

Nga 213 persona që u testuan  nga janari në dhjetor të vitit të shkuar u konfirmuan me fruth 49 raste, 24 prej të cilëve ishin të pavaksinuar.

Më shumë të prekur nga fruthi rezultuan mes moshës 2 deri në 4 vjeç dhe 5 deri në 9 vjeç me  afro gjysmën e të prekurve.

Numri më I lartë i të sëmurëve ishte në Tiranë dhe në komunitete pa lidhje me njëri tjetrin. Më shumë se gjysma kërkuan ndihmë të specializuar në spital  por fatmirësisht nuk pati humbje jete prej sëmundjes.

Fruthi përhapet lehtësisht kur një person i infektuar kollitet ose teshtin dhe shfaqet me temperaturë të lartë, kollë, rrjedhje hundësh dhe skuqje në të gjithë trupin.

Mund të shkaktojë sëmundje të rëndë, komplikime dhe vdekje.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!