Alarmi nga Britania: Shqiptarët po mbushin vendin me drogë

schedule18:53 - 23 Dhjetor, 2018

schedule 18:53 - 23 Dhjetor, 2018

Shqiptarët po kthehen në një shqetësim të vërtetë për autoritetet ligjzbatuese britanike. Kësaj here është e përditshmja “Daily Star”, e cila në një artikull ka theksuar se bandat shqiptare po mbushin gjithë Mbretërinë e Bashkuar me kokainë të cilësisë së lartë.

Grupet kriminale shqiptare po trafikojnë kokainë 85% të pastër. Ata e shesin 1 gram për 100 Paund. Më së shumti aktiviteti shtrihet në zonat më të rëndësishme të Britanisë si Londra, Manchester-i, Birmingham-i dhe Liverpool-i.

“Ata drejtonin trafikun në Londër, por tani po drejtojnë këtu, në Liverpool dhe në të gjithë qytetet e mëdha”, u shpreh një burim i “Daily Star” që merret me një grup shqiptar në Manchester të quajtur “The Albanians”.

“Ata kanë kokainën më të pastër dhe janë shumë të fuqishëm”, u shpreh më tej ai. Ndërkohë një zëdhënës i policisë së Merseyside ndaj krimit të organizuar u shpreh se mafia shqiptare ka shumë ndikim në disa qytete të Britanisë.

“Sfida është shumë e madhe me vendet e Ballkanit sepse nuk kemi si të lidhemi me ta. Është shumë e vështirë të infiltrosh njerëz aty pasi janë komunitete që njihen me njëri-tjetrin”, u shpreh Andy Cooke./abcnews.al