Alarmi i OBSH-së: Mbi një milion njerëz sëmuren çdo ditë nga ushqimi i pasigurt

schedule15:15 - 3 Qershor, 2025

schedule 15:15 - 3 Qershor, 2025

Çdo ditë, 1,6 milionë njerëz në mbarë botën sëmuren për shkak të ushqimit të pasigurt, paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke kërkuar përpjekje më të forta globale për të garantuar sigurinë ushqimore përmes politikave dhe praktikave të bazuara në shkencë.

“Siguria ushqimore është një përgjegjësi globale”, tha Simone Moraes Raszl, shkencëtarja në Departamentin e Ushqyerjes dhe Sigurisë Ushqimore të OBSH-së, gjatë një konference për shtyp të OKB-së në Gjenevë përpara Ditës Botërore të Sigurisë Ushqimore që shënohet të shtunën.

“Këto sëmundje janë të parandalueshme dhe shkenca për t’i parandaluar ato ekziston tashmë. Ajo që na duhet është veprimi – veprim i koordinuar, i bazuar në prova dhe gjithëpërfshirës”, shtoi ajo.

Raszl theksoi se përgjegjësia për sigurinë ushqimore u takon të gjithë sektorëve të shoqërisë. Politikëbërësit duhet të investojnë në rregullore të bazuara në shkencë dhe sisteme të forta të dhënash; bizneset ushqimore duhet të miratojnë praktika rigoroze të sigurisë dhe të përqafojnë transparencën; bota akademike duhet të vazhdojë të inovojë dhe edukojë; dhe konsumatorët duhet të qëndrojnë të informuar dhe të praktikojnë trajtimin e sigurt të ushqimit në shtëpi.

“Secili prej nesh është një menaxher rreziku,” tha ajo, duke shtuar: “Sepse nëse nuk është e sigurt, nuk është ushqim.”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!