Akuzuan prokurorin Ndoji, KLP Ramës e Braçes: Çojini në prokurori, mos paragjykoni procesin

schedule16:34 - 7 Tetor, 2019

schedule 16:34 - 7 Tetor, 2019

Këshilli i Lartë i Prokurorisë i kujton kryeministrit dhe zv/kryeministrit të denoncojnë në organin e akuzës çdo prokuror të dyshuar për kryerjen e veprave penale. Pas akuzave të bëra nga Rama dhe Braçe për prokurorin Arjan Ndoji, KLP shprehet se deklaratat e tyre mund të paragjykojnë procesin.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar pas akuzave të bëra publikisht nga kryeministri Edi Rama dhe zëvëndës kryeministri Erion Braçe, ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoji. Në dekalaratën publike qeveria e prokurorëve ka sqaruar se keto akuza mund të paragjykojnë ecurinë dhe përfundimin e një procesi gjyqësor në vijim dhe të procedurave të tjera ligjore. Zëvëndës kryeministri Brace mori pjese te premten në seancën gjyqësore, ku për kreun e Kadastrës në Durrës Liridon Pula, u caktua masa e sigurisë arrest në burg. Në një deklaratë për gazetarët, pas seancës, Braçe e akuzoi prokurorin Ndoji për presione kriminale ndaj Liridon Pulës.

Kryeministri Edi Rama akuzat ndaj prokurorit Ndoji i ka nisur që prej së Enjtes nga foltorja e Kuvendit, duke i vijuar edhe këtë të Hënë.

Qeveria e prokurorëve u ka kërkuar drejtuesve të qeverisë që të denoncojnë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda të gjitha rastet e dyshuara të kryerjes së veprave penale nga çdo prokuror i Republikës, ndërsa dyshimet për kryerjen e shkeljeve disiplinore duhet të denoncohen pranë Prokurorit të Përgjithshëm (deri ne krijimin e Inspektoriatit te Lartë i Drejtësisë) dhe institucioneve të vettingut. Në përmbyllje të reagimit Këshilli i Lartë i Prokurorisë u ka bërë thirrje prokurorëve që të  vijojnë punën me përgjegjshmëri të lartë në zbatim të kompetencave të tyre kushtetuese për ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në shërbim të shoqërisë. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!