Skënderbeu u trazua disa ditë më parë nga një deklaratë e bërë nga Sanel Kuljic, ish-futbollisti austriak i cili në vitin 2014 u dënua me pesë vite burg pas zbulimit të skandalit më të madh të basteve në Austri. Ai akuzohej si figura qendrore e gjithë aktivitetit të paligjshëm.
Së fundmi Kuljic bëri një deklaratë në mediat austriake, teksa thoshte se trukimet vazhdojnë. Në artikull përmendej edhe presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, si i përfshirë. Ky i fundit hodhi poshtë gjithçka, ndërkohë që edhe Bundesliga austriake doli me deklaratë dhe e cilësoi si shpifje atë që ish-futbollisti kishte thënë.
Së fundmi për Kuljiç ka sërish telashe, pasi është arrestuar nga policia austriake. Gruas së tij i është gjendur lëndë narkotike dhe dyshohet se ish-futbollisti merret me trafikim droge. “Krone” shkruan se avokati i tij nuk ka dhënë informacion në lidhje me situatën që ndodhet klienti tij, por të hënën pritet ta takojë atë në ambientet e paraburgimit. /abcnews.al