Denis Bytyqi dhe Enis Bitiq janë dënuar përkatësisht me dy dhe një vit burgim me akuzën për nxitje të përçarjes dhe thirrjeve ekstremiste në Kosovë.
Përmes rrjeteve sociale Facebook dhe Tik Tok ata kanë bërë thirrje për t’iu bashkuar luftës për xhihad.
Vendimi për ti dënuar është marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë nën drejtimin e gjyqtares Violeta Namani Hajra. Gjykatësja theksoi se telefonat që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale, konfiskohen.
Të akuzuarit nuk ishin prezent në sallën e gjyqit, edhe pse në seancën e 9 tetorit të vitit 2025 ata janë deklaruar të pafajshëm.
Sipas akuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dy të akuzuarit në mënyrë të vazhdueshme, deri më 1 maj 2025 përmes rrjetit të tyre social “Facebook” dhe “Tik Tok”, kanë shpërndarë postime me përmbajtje nxitëse përmes të cilave kanë bërë thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftës për xhihad, si dhe postime tjera ku shpërfaqin përkrahje të fuqishme të ekstremizmit fetar.
Ata i kanë dhënë publikisht përkrahje veprimeve të bëra nga organizata terroriste “ISIS”, duke shpreh armiqësi të thellë ndaj institucioneve shtetërore, forcave të sigurisë, liderëve politikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë atyre që nuk ndajnë ideologjinë e tyre.
Sipas prokurorisë, ata kanë vendosur flamuj të organizatës terroriste “ISIS” mbi çatitë e shtëpisë të tyre, kanë bërë grafitë me shkronja arabe në muret duke cënuar sigurinë publike.
/abcnews.al/


