Akuzat për viktimat nga covid, Shëndetësia-Bashës: Hajde ballafaqo çdo hamendje

schedule15:16 - 20 Nëntor, 2020

schedule 15:16 - 20 Nëntor, 2020

Ministria e Shëndetësisë përmes një deklarate për mediat riftoi Lulzim Bashën që të shkojë dhe të ballafaqojë me autoritetet shëndetësore shifrat për viktimat nga koronavirusi në Shqipëri, që sipas liderit demokrat janë fshehur nga qeveria. Dikasteri i drejtuar nga Ogerta Manastirliu i cilësoi shifrat e kryedemokratit si hamendje dhe tymnaja toksike për shpirtrat dhe mendjet e qytetarëve.

“Çdo informacion raportohet me transparencë, mos vini në dyshim integritetin e mjekëve tanë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale solidarizohet me mjekët e vijës së parë të frontit kundër Armikut të Padukshëm, të cilët gjenden qysh mbrëmë nën një akuzë jo vetëm të shëmtuar politike, por edhe të rrezikshme për bluzat e bardha!

Akuza e lëshuar mbrëmë nga Kryetari i Partisë Demokratike, Z. Lulzim Basha, për fshehje të qëllimshme të numrave të qytetarëve që kanë ndërruar jetë, cënon rëndë dinjitetin e mjekëve tanë dhe nxit agresivitetin ndaj tyre, në një kohë kur ata janë aseti më i paçmueshëm që Shqipëria ka në përballjen me pandeminë. Eshtë e paimagjinueshme që ndërkohë që qeveria ka bërë gjithçka për paralizimin e burimeve të dhunës fizike ndaj mjekëve në këto vite, sot opozita ta stimulojë këtë dhunë me një akuzë të tillë e cila fajëson direkt ata, sepse janë mjekët dhe askush tjetër që përcaktojnë shkaqet e fataliteteve në kartelat mjekësore të pacientëve.

Si mund të imagjinohet që të gjithë mjekët tanë të jenë të përfshirë në një manipulim që edhe ta parafytyrosh duhet një papërgjegjshmëri e jashtëzakonshme, ndërkohë që ata kanë përgjegjësi njerëzore, profesionale dhe ligjore për çdo kartelë mjekësore?!

MSHMS u shpreh keqardhjen më të madhe dhe mbështetjen më të fortë mjekëve të Shërbimit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, të cilët e ngritën zërin për ta hedhur poshtë me forcën e dinjitetit të tyre akuzën e zotit Basha. Keqardhje sepse pasi janë gjendur në mënyrën më të pamerituar, përballë akuzave të pabazuara, të paargumentuara, dashakeqe në adresë të tyre, sot janë detyruar të bëjnë edhe një deklaratë publike në adresë të politikës, në vend se të paktën të mos sulmohen nga politika në misionin e tyre.

Çdo humbje jete është një dhimbje e madhe jo vetëm për familjarët e të ndjerëve, por edhe për stafet tona mjekësore, të cilat punojnë çdo ditë, orë e pa orë, në luftë me vdekjen, për të shpëtuar çdo jetë njeriu. Por është jonjerëzore që politika të trazojë shpirtrat e lënduar të familjarëve që kanë humbur të dashurit e tyre, duke ngritur një dyshim kaq të rëndë për integritetin e mjekëve tanë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e rifton zotin Lulzim Basha dhe këdo tjetër për llogari të tij, që të vijë e të ballafaqojë me autoritetet shëndetësore çdo hamendje, përpara se sa të shpërndajë të tilla tymnaja toksike për shpirtrat e mendjet e qytetarëve.

Për sa na takon, ne do të vazhdojmë të komunikojmë me korrektësi dhe transparencë me qytetarët shqiptarë, siç kemi bërë që nga dita e parë e kësaj pandemie, cdo informacion të raportuar nga strukturat tona, duke kërkuar besim, mirëkuptim, durim në kushtet e kësaj lufte kaq sfiduese për mbarë globin”.

Por si nisi debati? Mbrëmë ishte Lulzim Basha që akuzoi qeverinë se fshehu numrin real të viktimave nga koronavirusi. Por Edi Rama e cilësoi akuzën të pashembullt, ndërsa rivalit të tij politik i tha se “e kalove cakun”.

Drejtoresha e spitalit Infektiv, Najada Çomo së bashku me mjekët e tjerë përmes një deklarate mëngjesin i mohuan, duke i cilësuar të pavërteta deklaratat e kreut të PD-së, Lulzim Basha se është fshehur numri real i vdekjeve nga koronavirusi në Shqipëri.

Mjekët, thanë se këto deklarata janë goditje për ta në këtë periudhë të vështirë, ndërsa “kërcënojnë” se nëse akuzat do të përsëriten do i drejtohen prokurorisë, që të hetojë./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!