Akuzat për financime, Sarkozy: Po jetoj në ferr

schedule11:14 - 22 Mars, 2018

schedule 11:14 - 22 Mars, 2018

Ish-presidenti francez, Nikolas Sarkozy, është mbrojtur nga akuzat se ka përfituar financime të paligjshme për fushatën e tij presidenciale. Ai thekson se akuzat për këtë çështje ia kanë bërë jetën ferr.

Ish-presidenti i Francës, Nikolas Sarkozy, thotë se akuzat që rëndojnë ndaj tij për financime të paligjshme të përfituara nga ish-lideri i Libisë, Muammar Gaddafi, po ia bëjnë jetën “ferr”.

“Unë akuzohem pa ndonjë provë fizike”, është shprehur Sarkozy para gjykatësve ndërsa është vendosur në bankën e të pandehurve. Kjo është raportuar nga gazeta “Le Figaro”. Ish-kreu i shtetit po hetohet për përfitime financimesh të paligjshme të fushatës elektorale në 2007-n, keqpërdorim i fondeve publike të Libisë dhe korrupsion pasiv.

Të enjten, Le Figaro publikoi të plotë dëshminë e Sarkozy para hetuesve francezë. Në të, ai thotë se është i vetëdijshëm se akuzat kundër tij janë “serioze”, por ato përbëjnë “shpifje” dhe ia kanë bërë jetën e “ferr” që nga 11 Marsi i 2011-s, kur pretendimet e para u bënë nga Gaddafi.

“Unë kurrë nuk kam kërkuar të shmang detyrimet e mia në marrëdhëniet me miqtë, kolegët dhe të gjithë njerëzit e përmendur në këto procedura”, tha Sarkozi, duke shtuar se “kurrë nuk ka kërkuar të ndikojë në deklaratat apo gjykimet e tyre”.

63-vjeçari Sarkozy mohon të ketë shkelur ligjet. Politikani i qëndrës së djathtë, i cili është lënë i lirë të mërkurën, pasi është marrë në pyetje për dy ditë, thotë se akuzuesit nga Libia po kërkojnë hakmarrje për vendimin e tij për të angazhuar avionë luftarakë të Francës gjatë kryengritjes, ku Gaddafi u rrëzua nga pushteti në 2011-n. Gjithashtu në pyetje është marrë edhe një nga ish-ministrat e Sarkozy dhe aleat i afërt, Brice Hortefeux.

Ndërkohë, në 2013 drejtësia franceze hapi një hetim për akuzat se fushata e Sarkozy ka përfituar miliona euro të paligjshme nga Gaddafi. Ai dështoi në rikthimin në pushtet në 2012, duke humbur ndaj kandidatit socialist, François Hollande. Edhe në 2014-n, Sarkozy ishte ndaluar nga hetuesit për të njëjtën çështje. Kjo është hera e parë që një ish-president përfshihet në këto procedura./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!