Akuzat ndaj Berishës/ Mertiri: PD duhet të mbajë qëndrim zyrtar, duke heshtur po i lë fushën bosh berishizmit

schedule21:02 - 1 Nëntor, 2023

schedule 21:02 - 1 Nëntor, 2023

Analisti Ergys Mertiri, gjatë intervistës për “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, theksoi se PD zyrtare duhet të mbajë një qëndrim lidhur me akuzat ndaj ish kryeministrit Sali Berisha për aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. Sipas tij, PD duke heshtur po i lë fushën bosh berishizmit.

“Ka një kompleks, ndoshta jo Basha por një një pjesë e mirë e PD zyrtare, për të thënë se duhet të bëjmë opozitë jo ndaj Ramës por ndaj Berishës. PD është aty për të bërë politikë ndaj Ramës, Berishës dhe ndaj çdo aktori. PD duhet të mbajë qëndrim zyrtar, të hapur dhe të sinqertë përballë arrestimit të Berishës dhe nuk ka arsye të kompleksohet për asgjë tjetër. Duke heshtur mendoj se thjesht i zë zonën bosh Berishës, dhe kjo fushë bosh do të mbushet nga berishizmi, i cili po mban peng klimën dhe debatin politik. Gjithçka po zhvillohet në termat e Berishës, grevë urie, zhurmë në parlament, gjuajmë me grushta.“, tha Mertiri.

Ndërsa gazetari Artur Zheji, duke komentuar daljen televizive të Argita Berishës, tha se ka testuar opinionin publik si ‘trashëgimtarja’ e mundshme e babait të saj. Sa i përket heshtjes së Lulzim Bashës, Zheji tha se ai po pret si një peshkatar.

“Ajo që më shqetëson është që në këtë situatë po vazhdon copëzimi i opozitës. Nuk e di se Rama duhet të rishikojë parametrat. Nuk duhet të thotë më Shqipëria 2030… Po mendoja që zonja Malltezi, shfaqjen publike që bëri, nuk e bëri thjesht për të mbrojtur pozicionin e burrit apo të babait vet, pasi nuk e bëri dot këtë gjë. Mendoj se po të jetë nisur vetëm për këtë impostim mbrojtës ka bërë një lloj autogoli. Nëse ka bërë një hap të parë dhe ka testuar opinionin publik se si do të isha unë trashëgimtarja apo vijuesja e veprës së babait tim, për këtë gjë ka një kuptim. Dalja e saj ka një kuptim. Por ama mendoj se zoti Sula dhe të tjerë deputetë, nuk mund të shkojnë në mënyrë mekanike nga Berisha tek Berisha Junior. Nuk mund të kalojë mekanikisht kështu. Atëherë mund të bëhet pjesa e cila vazhdon berishizmin si doktrinë dhe ideologji, pjesa e moderuar dhe pjesa e Bashës. Përsëri do të ndahet në tre copa. Basha po pret, është ai peshkatari që ka hedhur rrjetat. Ka një strategji pritëse.”, tha Zheji./abcnews.al