Arben Gashi shpreson që emri i UÇK-së të pastrohet në Gjykatën Speciale dhe beson që lufta ka qenë e drejtë. Por, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së u shpreh në emisionin Pressing në T7 se pret nga Specialja të vendosë drejtësi për veprimtarët e LDK-së, që janë vrarë. “Veprimtarët e LDK-së nuk i ka vrarë reja e zezë, por një dorë kriminale. Kemi njerëz që ende sot janë në karrocë” tha ai. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi prej fillimit të nëntorit ndodhen në Hagë ku po përballen me akuzat për krime kundër njerëzimit.
Mes të tjerash, ata akuzohen edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, nga radhët e LDK-së, për të cilët Gashi shpreson që të ketë drejtësi. “Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Speciale./ db/Abcnews.al