Sipas kryeministres serbe Ana Brnabiç, gjykata e Hagës nuk është treguar e paanshme dhe roli i saj nuk ka kontribuar aspak në ripajtimin mes vendeve. Brnabiç tha se Serbia është ajo që ka vuajtur më shumë nga kjo gjykatë.
Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, u shpreh se Gjykata e Hagës nuk është treguar e paanshme dhe Serbia është ajo që e ka pësuar më keq nga kjo.
Brnabiç sqaroi se i referohej dënimeve të dhëna nga gjykata për shtetas serbë dhe për numrin e atyre që ndërruan jetë në pritje të procesit gjyqësor. Ajo shtoi se ndoshta këndvështrimi i saj nuk ishte politikisht korrekt por ky ishte një mendim personal.
Brnabiç theksoi se nuk mendonte se gjykata ka luajtur ndonjë rol në ripajtimin mes vendeve në rajon por në vend të kësaj ka kontribuar në rritjen e tensioneve. Si shembull për këtë dhe arsye për të mos kritikuar sistemin e drejtësisë në Serbi, ajo mori procesin gjyqësor në Hagë kundër Sheshel i cili zgjati plot 13 vjet. E ndërsa tani ai është i lirë,
Kryeministrja serbe tha se askujt nuk mund ti kthehen 13 vjet të jetës sërish dhe nëse gjykata serbe do të kishte trajtuar dikë në të njëjtën mënyrë, atëherë reagimet do të ishin të shumta dhe të ashpra. Ajo bëri këtë deklaratë me rastin e vizitës zyrtare të presidentit të gjykatës ndërkombëtare të krimeve për ish-Jugosllavinë Carmel Agius, që do të jetë në Beograd deri të enjten. E pyetur nga gazetarët se cila ishte arsyeja e vizitës së tij në vend, Brnabiç u shpreh se nuk e kishte idenë.