Vincenzo Spadafora, Ministri i Sportit në Itali, ka reaguar pas deklaratës së bërë nga Igli Tare, drejtori sportiv i Lazio. Vlonjatit nuk i ka pëlqyer fakti që ende nuk po merret një vendim për kampionatin italian, ndërkohë që as data 4 maj për të nisur përgatitjet nuk është konfirmuar. Futbollistët duhet të punojnë individualisht.
Mes te tjerash Tare është shprehur: “Jemi të surprizuar, kemi respektuar çdo vendim të marrë nga qeveria italiane, por 4 maji ishte supozuar si pika e fillimit. Ndihemi të diskriminuar përsëri. Kam dëgjuar çfarë ka thënë ministria Spadafora, i cili shprehet se duhet të mendojë për shëndetin e njerëzve.
Më pas ai i lë njerëzit e tjerë të vrapojnë në parqe, kurse ne nuk na lejohet të stërvitemi në komplekset sportive në masa sigurie. Aktiviteti është ndalur për dy muaj, një kohë shumë e gjatë. Nuk e di cili është qëllimi, por qartësisht kjo nuk e ndihmon futbollin.
Vendimi i tyre që të na ndalojnë të luajmë është drastik. Ne jemi të vetëdijshëm për situatën dhe duhet të jemi shumë të vëmendshëm ndaj sakrificave që bëhen nga njerëzit, por kjo nuk është gjë e mirë”.
REAGIMI I SPADAFORA – “Rifillimi duhet të jetë gradual. Sondazhet do të donin që futbolli të ndalet këtu. Unë nuk jam një person që ndikohem nga këto sondazhe ku njerëzit shprehin opinionet e tyre. Do ishte gjëja më e lehtë ta pezullonim kampionatin dhe komuniteti i shkencëtarëve do të pajtohej me këtë.
Përkujdesja për botën e futbollit është një gjë shumë e rëndësishme për vendin tonë, por duhet ta bëjmë atë në mënyrën më të sigurt. Ju kujtohet ku Serie A u ndal? Sa ekipe shkuan në karantinë? FIGC paraqiti një protokoll dhe u mor në konsideratë. Jemi në fund të prillit dhe nuk e dimë se si do të jetë evoluimi i virusit dhe si do të respektohen rregullat. Për këtë arsye nuk mund ta dimë se kur sezoni do të rifillojë.
Do të zbulojmë gjithçka në një datë tjetër, kur të kemi informacion mbi zbatimin e protokollit. Ai ka një kosto të lartë dhe pyetja është: si do t’i gjejë ato të ardhura Serie B. Nuk është e vërtetë që fjalët e mia dhe të presidentit Conte nuk përputhen.
Pretendimet për një komplot kundër Serie A janë qesharake dhe kushdo që i thotë është po aq qesharak. Ne po punojmë për të rifilluar stërvitjet më 18 maj, por kjo nuk do të thotë që kampionatet do të rinisin sërish”, është shprehur Ministri i Sportit në Itali, Vincenzo Spadafora. /abcnews.al