Akuza për shpërdorim detyre, PD në Vlorë kallëzon në SPAK drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit

schedule20:02 - 30 Mars, 2021

schedule 20:02 - 30 Mars, 2021

Partia Demokratike Vlorë ka kallëzuar në SPAK, Drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli, për shpërdorim të detyrës si dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera.

Kallëzimi në fjalë është kryer në lidhje me procedurat e prokurimit për “Rikualifikimin urban pranë qendrës së qytetit Vlorë, Zona A drejtimi i kullës së Sahatit dhe Sheshi i Flamurit”, me vlerë të fondit limit 919’315’102.50 lekë pa TVSh.

Sipas PD Vlorë, rezulton se jemi përpara veprimeve apo mosveprimeve të kundërligjshme, që sjellin përgjegjësi penale, në të paktën dy drejtime. Konkretisht:

– në skualifikimin në mënyrë të padrejtë dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore për “Prokurimin publik” të disa ofertuesve që kanë marrë pjesë në këtë prokurim;

– Pranimin dhe kualifikimin si të suksesshme të ofertës së bërë nga opertatori, në kundërshtim me kriterin e percaktuar në dokumentat standarte të tenderit.

Oferta në vlerën e 698’150’210.94 leke pa TVSh e shoqërisë “Gener 2” Sh.p.k. e identifikuar si oferta fituese, krahasuar me ofertën në vlerën prej 542’052’437.49 lekë të shoqërisë “Curri” Sh.p.k. & “Alba Konstruksion” Sh.p.k. ka një diferencë prej 156’097’773.45 lekë pa TVSH, ose e thënë ndryshe rreth 2 miliard lekë të vjetra më tepër.

Kjo diferencë është një shumë tepër e konsiderueshme duke shkaktuar një dëm të madh ekonomik fondeve publike të buxhetit të shtetit, sipas PD.

Gjithashtu, Partia Demokratike Vlorë, është duke përgatitur një kallëzim penal drejtuar SPAK edhe për projektin që po zbatohet në zonën e Skelës, i cili, sipas tyre, rezulton se ka të njëjtat praktika ashtu si edhe për projektin e Sheshit të Flamurit. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!