Akuza nga Lushnja për FSHF-në: Përjashtim i padrejtë!

schedule15:51 - 16 Tetor, 2019

schedule 15:51 - 16 Tetor, 2019

Trajneri i Lushnjës U15, Judmir Gazheli, akuzon Federatën Shqiptare të Futbollit se i është bërë padrejtësi duke mos lejuar që ekipi i tij të marrë pjesë në ligën profesioniste. Gazheli shprehet për Abc News se ekipi i tij ka qenë nga më të mirët në Shqipëri vitet e fundit.

Është padyshim një nga më të mirët e kategorisë së tij. Lushnja U15, e drejtuar nga trajneri Judmir Gazheli, ka pasur suksese si pak ekipe të tjerë këta vite, në kampionatet e bashkëmoshatarëve, veçse këtë sezon ndjen se iu bë një padrejtësi. Gazheli, në një intervistë për Abc News-in, deklaron se skuadra e tij nuk është përfshirë në ligën profesioniste të sapo krijuar, por është vendosur në ligën amatore. Cila është arsyeja për të cilën është marrë ky vendim? Gazheli dëshiron të theksojë edhe dy fakte të tjera, që kanë lidhje me sezonin aktual të Superligës, dhe me kontributin e ekipit të tij në kombëtaret e moshave. Lushnja U15 merr pjesë në ligën amatore, ndërsa Gazheli e mbyll me një shprehje popullore.

Në fjalën e tij, Gazheli tha: “Kisha dy vite që diskutoja në zyrat e FSHF-së dhe mendova se unë duhet të isha një nga dy ekipet e para që do të merrja pjesë, pasi vitin që mbylla humba një finale. Në këto shtatë vite që unë punoj me këtë grupmoshë, ne kemi arritur gjashtë finale. Jemi shpallur tre herë kampionë të jugut dhe një herë nënkampionë Shqipërie. Ne jemi përjashtuar nga liga profesioniste dhe na kanë dhënë një arsye se fusha ku ne luajmë nuk i plotëson kriteret. Këtu luajnë edhe moshat U-17 dhe U-19, si dhe ekipi i Kavajës. Unë mendoj se kjo është një arsye qesharake dhe mendoj se po përdoret kundër nesh. Asnjëherë nuk them kurrë. Ne jemi tashmë në ligën amatore dhe duhet të them atë shprehjen popullore: “Kur s’ke pulën, ha sorrën!”, përfundoi Gazheli./ABC News Albania