Dorëheqja e Jurgen Klinsmann nga posti i trajnerit nuk është pritur aspak mirë nga Hertha Berlin. Qëndrimi i gjermanit të njohur në stol zgjati vetëm 10 javë, teksa financuesi kryesor i klubit kryeqytetas ka lëshuar akuza të forta në drejtim të ish-sulmuesit.
Lars Windhorst, i cili zotëron 49.5% të aksioneve të klubit, nuk është përmbajtur dhe e akuzon Klinsmann me një fëmijë. Ky i fundit nuk do të ketë më asnjë post te Hertha Berlin, që po kalon një moment të vështirë dhe po lufton për të qëndruar në Bundesligë.
“Jurgen Klinsmann humbi shumë nga besueshmëria e tij. Sjellja e tij nuk ishte ajo e një profesionisti, diçka të tillë mund ta bëjë vetëm një adoleshent, jo një i rritur. Kjo është pikëpamja ime. Duket si një fëmijë që ka rënë në pus. Ai nuk do të mbajë më asnjë post në klubin tonë, as atë të anëtarit të bordit mbikëqyrës“, thekson Lars Windhorst gjatë konferencës për shtyp. /abcnews.al