“Akuza joprofesionale”, acarohet Shahini: Jam e zhgënjyer me Rektorin e UT-së

schedule12:07 - 2 Korrik, 2020

schedule 12:07 - 2 Korrik, 2020

Ministrja e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë Besa Shahini në një komunikim të drejtpërdrejtë foli për provimet e realizuara në shkollat e mesme, mësimin online dhe mënyrën se si do të menaxhohet situata.

Për Ministren shkollat e mesme kanë problem me fiktivitetin e notave. Gjatë fjalës së saj Shahini është ndalur edhe të protesta e nxënësve të cilët kundërshtuan tezën e provimit të Gjuhë-Letërsisë të Maturës Shtetërore.

Shahini sërish e ka konsideruar një protestë të nxitur nga opozita. Gjatë intervistës Shahini u shpreh se ish-rektori i Universitetit të Tiranës ka penguar procesin e diplomave të studentëve.

ora 11:47  Shahini: Shkollat e mesme kanë problem me fiktivitetin e notave 

Të rinjtë duhet të kuptojnë që kopjimi nuk i bën mirë askujt. Përkundër një banaliteti të një protestë që u nxit nga opozita, provimi i Gjuhë Letërsisë ishte me standardet më të larta ndërkombëtare. Personat janë të trajnuar shumë mirë nuk kemi dilemë për modelin që do të ndjekim. Organizatat do të punojnë që mësuesit një kenë një tjetër komunikim me nxënësit. Vitin tjetër na pret një tjetër punë intensive.

Kemi problem me fiktivitein e notës në shkollën e mesme. Nxënësit me notën 10 në shkollën e mesme nuk arrijnë që në shkollën e lartë të mbajnë të njëjtën ritëm. Ka një dallim shumë të madh. Mbivlerësimi për nxënësin është i dëmshëm. Në fund të vitit tjetër shkollor do të shohim edhe peshën e notës”, tha Shahini.

ora 11:50: Diplomat, Shahini: Studentët na kanë në krahë, ne do i mbështesim.

“Buxheti i Ministrisë së Arsimit është orientuar drejt rindërtimit të shkollave. Janë planifikuar të rindërtohen apo ndërhyhet në 38 shkolla deri në fund të këtij viti, me punimet që do të mbarojnë në fillim të vitit tjetër. Kemi arritur të ruajmë dy projekte të kushtueshme, që janë të domosdoshme. Një nga këto është projekti i librave falas, që ka vazhduar për këto vite.

Tjetri është pakti për universitetin dhe subvencionimi i tarifave për studentët dhe bursat e studentëve. Mbi 90% përfitojnë nga ky pakt. Viti i ri shkollor fillon në 14 shtator, të paktën sipas planifikimeve që kemi tani.

Jam shumë e zhgënjyer me ish rektorin e Universitetit të Tiranës. Për një mosmarrëveshje mes dy udhëheqësve në Universitet ai refuzon të firmosë diploma. Është hera e disatë që i  kemi kërkuar urgjentisht diplomimin e studentëve. Më vjen mirë që kanë vendosur ta ndjekin në rrugë ligjore. Studentët na kanë në krahë, ne do i mbështesim”, tha Shahini.

E pyetur pse nuk u veprua kur kishte informacion nga drejtori i shkollës për abuzimin e të miturës nga roja i shkollës nga Abaz Shehu, Shahini e konsideroi si pyetje tendecioze duke theksuar se Ministria nuk ka pasur paraprakisht informacion.

ora 11:57 “Akuzë joprofesionale”, Shahini: Krenare për rastet që denoncohen

“Është akuzë joprofesionele që bëni pyetje tendencioze. Raste individuale të abuzimit nuk është mirë ti raportoni sepse e riviktimizoni viktimën dhe kjo nuk është mirë për të miturin. Për të gjitha denoncimet janë marrë masat e pezullimit të shkarkimit të gjithë personave të nevojshëm.

Nuk ka pasur kurrfarë njoftimi, raportimi është joprofesional. Një drejtor që shkarkohet se nuk ka kryer punën dhe del jep deklarata të pabaza, fillimisht duhet të hetohet. Më pas të bëhen pyetje tendecioze. Kryesisht abuzimet që janë identifikuar nga mësues janë marrë masa menjëherë”, tha më tej Shahini.