CËRRIK- Ish drejtuesi i zjarrfikëses në Cerrik, Artion Toçi dhe 4 persona të tjerë janë vënë në pranga këtë të enjte.
Po ashtu në pranga janë vënë edhe vartësit e tij, Agiano Dinoshi, Adnand Xhelili, Alban Shima, Armand Gjoka.
Gazetarja e ABC News, Edisona Skënderi raportoi se Toçi akuzohet për ushtrim ndikimi të paligjshëm dhe krim zgjedhor pasi ka influencuar tek nëpunësja e zyrës së taksave në bashki që të lëshojnë vërtetime false për disa biznese gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.
“Bëhet fjalë për 5 persona të cilët janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit. Bëhet fjalë për ish-drejtuesin e zjarrfikses së Bashkisë së Cërrikut, Artion Toçi, i cili është arrestuar këtë pasdite. Nga veprimet paraprake, dyshohet se ky person, në bashkëpunim me 4 persona të tjerë, kanë pasur ndikim në fushatën elektorale të zgjedhjeve të kaluara. Gjithashtu, urdhër-arresti është firmosur edhe për një nëpunëset e zyrës së taksave në Bashkinë e Cërrikut, për dy qytetarë dhe për një biznesmen.
Mendohet se gjatë periudhës së fushatës së kaluar, nën drejtimin e drejtuesit të zjarrfikses, Artion Toçi, nëpunësja e zyrës së taksave, në bashkëpunim me biznesmenin dhe dy qytetarët që kanë kërkuar favorizime, kanë lëshuar urdhra jo të vërtetë për të përfituar nga taksat disa biznese”, raportoi gazetarja Skënderi./ abcnews.al