Edhe pse deri më tani nuk ka një akuzë zyrtare ndaj Alec Baldwin për vrasjen e Halina Hutchins, Ian Hudson, i cili ka luajtur edhe në film, po ndryshon faktet dhe po e akuzon aktorin e njohur për papërgjegjshmëri. Aktori i ri shpjegoi se gjatë xhirimeve të filmit, të gjithë anëtarët e kastit kontrollonin armët e tyre para çdo skene për t’u siguruar që ishte bosh.
Sipas Hudson, i vetmi që nuk e kontrolloi armën ishte Baldwin. “Të gjithë aktorët, që janë edhe më me përvojë se unë, kontrolluan të gjithë armët. Baldwin ishte i vetmi që u mbështet te asistenti i regjisorit, Dave Halls, i cili e siguroi atë se nuk kishte plumba”, tha aktori.
Ai më tej ka shpjeguar se në përgjithësi nuk ka pasur situatë sigurie gjatë xhirimeve të filmit, pasi aktorët nuk janë mbrojtur as në skenat e xhirimit. “Nuk u ndjeva i sigurt, kishte kaq shumë armë në shesh dhe asnjë mbrojtje për aktorët, përveç pajisjeve, ” ka thënë ai. /abcnews.al