Nga Erneta Shevroja
Zyrtarët kanë shkelur vendimet e KQZ dhe kanë promovuar dhe aktivitete të ndaluara nga ky institucion.
Ky është konkluzioni i një monitorimit që i është bërë zyrtarëve, kryeministrit, ministrave dhe kryebashkiakëve, gjatë gjithë muajit shkurt. Raporti analizon denoncimin ndaj kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, që fillimisht iu vendos një gjobë prej 750 mijë lekësh e më pas ankimimit u anulua nga anëtarët e Komisionit të Ankimieve dhe Sanksioneve në KQZ.
Ky fakt në raportin e realizuar nga Akademia e Studimeve Politike, tregon që KQZ-ja ende nuk i ka ikur vendimmarrjes politike dhe e konsideron një sinjal I keq për vendimmarrjet në vijim. “Mesa duket, shtresëzimi i ri i KQZ me tre struktura paralele (Administrative – Rregullatore – Ankimore), nuk mund të jetë zgjidhja e vetme për një KQZ funksionale. Ky konstatim është sigurisht një ogur i keq jo vetëm për kufizimet e Kodit Zgjedhor mbi veprimtaritë shtetërore, por edhe për vendimmarrje të tjera edhe më të rëndësishme që priten nga KQZ në javët në vijim mbi procesin zgjedh”, thuhet në raport.
Kryeministri rezulton ndër më korrektit në raportimin e aktiviteteve të tij. Gjatë muajit janar dhe shkurt, ai ka raportuar në KQZ cdo aktivitet që ka kryer, por ndërkohë është konstatuar se mbi 90 përqind e vizitave dhe postimeve të tij në rrjetet sociale kanë të bëjnë me vizita tek objektet që po rindërothen nga tërmeti.
Ndërkohë, gjatë muajit shkurt është ministri për Rindëtrimin Arben Ahmetaj që është më jo korrekti në raport me detyrimin për të raportuar aktivitete që konsiderohen elektorale. Gjatë shkurtit Ahmetaj ka bërë 17 aktivitete promovuese, ndërkohë 15 nuk i ka raportuar pranë KQZ-së.
Pas tij është ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu që numëron 14 aktivitete, ndërkohë për asnjë prej tyre nuk ka raportuar në KQZ. Jo korrekte është treguar dhe Elisa Spiropali. Nga kryebashkiakët, është Dritan Leli i Vlorës ai që ka bërë më shumë promovime jo të raportuara, 12 gjatë shkurtit, e pas tij ai i Elbasanit, Gledian Llatja me 10. Pranë KQZ që kur hynë në fuqi ndalimet, 25 dhjetor, janë bërë 43 denoncime për zyrtarë që është pretenduar se kanë shkelur rregullat në fuqi./ Abcnews.al