Aktivistët e organizatës Just Stop Oil sulmuan sot selinë e TotalEnergies në Londër, duke hedhur bojë portokalli dhe të zezë, për të denoncuar projektin e madh të naftës të kompanisë franceze në Ugandë.
Just Stop Oil sqaroi në një deklaratë se “ishte një akt i rezistencës ndaj përfshirjes së vazhdueshme të kompanisë në shkeljet e të drejtave të njeriut, në kontekstin e ndërtimit të tubacionit të naftës EACOP (East African Crude Oil Pipeline)”.
Organizata kërkon pezullimin e këtij projekti kolosal për tubacionin e naftës 1500 metra të gjatë që shtrihet deri në brigjet e Tanzanisë, duke përshkuar shumë habitate të mbrojtura.
Ky projekt është bërë një shenjë dalluese e zgjedhjes së diskutueshme të TotalEnergies për të vazhduar investimin në lëndët djegëse fosile pavarësisht krizës klimatike dhe një simbol i fushatës mediatike kundër naftës.
Ankesat në Gjykatë
Gjithashtu sot, 26 qytetarë ugandas dhe 5 shoqata franceze apeluan në gjykatat në Francë duke kërkuar dëmshpërblim nga TotalEnergies për “dëmet”, të shkaktuara nga projekti.
Dhjetëra mijëra njerëz në Ugandë dhe Tanzani janë prekur nga shpronësimet totale ose të pjesshme si rezultat i këtij projekti.
“Për Just Stop Oil, ky projekt do të lëshojë 379 milion ton dioksid karboni në atmosferë, që është 25 herë më shumë se emetimet vjetore të Ugandës dhe Tanzanisë së bashku”.
Në orën 08:00 aktivistët e Just Stop Oil hynë në selinë e TotalEnergies që ndodhet në Canary Wharf në Londër dhe hodhën bojë të zezë në zonën e pritjes. Të tjerë në të njëjtën kohë hodhën bojë portokalli në pjesën e jashtme të ndërtesës. Të gjithë u ulën para selisë së operacionit derisa mbërriti policia, e cila arrestoi 27 aktivistë të dyshuar për dëmtim kriminal dhe shkelje të rëndë.
Just Stop Oil, i cili kërkon ndalimin e të gjithë zhvillimit të ri të naftës dhe gazit në Britani, shpesh ndërmerr veprime drastike.
Që nga fundi i prillit, ajo ka organizuar gjithashtu marshime të përditshme nëpër arteriet e Londrës me qëllim që të shkaktojë sa më shumë përçarje për të bërë publike luftën e saj dhe për të bërë presion mbi qeverinë.