“Akt agresioni”, Australia: Anija spiune kineze shumë pranë brigjeve tona

schedule14:42 - 13 Maj, 2022

schedule 14:42 - 13 Maj, 2022

Marrëdhënie gjithnjë e më të tensionuara mes Kinës dhe Australisë. Sipas ministrit australian të mbrojtjes, Piter Daton, një anije kineze që përdoret nga shërbimet sekrete të Pekinit, është parë në brigjet perëndimore australiane duke hyrë pa autorizim në zonën ekonomike të vendit. Sinjalizimi ndodhi mëngjesin e të premtes rreth 250 milje detare në veri lindje të qytetit të Brum.

Ministri australian e cilësoi të pazakontë manovrën e anijes kineze dhe e cilësoi si një akt agresiv, në mënyrë të veçantë pasi shkoi shumë në jug. Daton shpjegoi se anija kineze po monitorohet prej një jave por nuk saktësoi se kur ndodhi sinjalizimi i parë i dyshimtë.

Nuk është hera e parë që kjo anije kineze spiune, afrohet kaq shumë në brigjet australiane, një situatë e tillë ndodhi dhe një vit më parë.

Qëllimi sipas autoriteteve australiane është mbledhja e informacioneve përgjatë bregut, pasi ndodhet shumë pranë instalacioneve ushtarake dhe të shërbimit të inteligjencës në bregun perëndimor të Australisë.

Agjenci të ndryshme lajmesh raportojnë se tensionet mes Kinës dhe Australisë janë përshkallëzuar kohët e fundit pasi Kina firmosi një marrëveshje sigurie me Ishujt Salomon./abcnews.al/