Aksioni, policia nuk e dinte që efektivi i RENEA-s kishte drogë

schedule18:52 - 16 Maj, 2021

schedule 18:52 - 16 Maj, 2021

Nga Xhensila Kodra

Policia e nisi aksionin për zbulimin e një grupi trafikantësh droge, pa e ditur që në pranga do të vihej edhe një koleg i tyre, efektivi i RENEA-s Xhuljo Liçi.

Operacioni për kapjen e trafikantëve u zhvillua mesditën e 14 Majit. Burime zyrtare nga grupi hetimor thanë për ABC se uniformat blu e kishin marrë informacionin në rrugë operative, vetëm një ditë më parë. Ata u informuan se 43 vjeçari Luan Gaçi merrej me trafik kokaine.

Pa regjistruar procedim penal, agjentët e antidrogës organizuan aksionin dhe vendosën që lëvizjet e tij të mbaheshin nën vëzhgim në distancë nga efektivë civilë. Ata nuk kishin dijeni se atë ditë do të bëhej shkëmbimi i drogës. Por mesditën e së premtes, gjatë ndjekës, konstatuan se Gaçi parkoi makinën pranë një lokali në zonën e Ndroqit. Pak momente më pas iu afrua efektivi i RENEA-s, Xhuljo Liçi dhe Ded Nimani. Pako me kokainë nga bagazhi i makinës u nxorr nga Liçi. Në këto momente efektivët e antidrogës ndërhyn por efektivi hodhi pakon në tokë. Droga mbante mbishkrimin “BARON” dhe në të rezultoi të kishte 1 kg e 88 gr kokainë.

Të tre personat, Liçi, Nimani dhe Gaçi u prangosën me akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, në bashkëpunim.

Gjatë marrjes në pyetje ata nuk pranuan të japin asnjë deklaratë para hetuesve.

Këtë të dielë, prokuroria dorëzoi në gjykatë caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për të tre. Ende nuk është zbuluar se kujt i përkiste sasia e kokainës dhe se ku ishte marrë.

Ded Nimani është person me precedentë penalë në shpërndarjen e drogës dhe kishte më pak se një vit që kishte lënë qelinë e burgut./abcnews.al