Aksioni për HEC-et, Balluku: S’prishim kontrata në arbitraritet

schedule22:30 - 7 Shkurt, 2019

schedule 22:30 - 7 Shkurt, 2019

Stacioni i radhës për aksionin qeveritar të kontrollit të ligjshmërisë së zbatimit të kontratave të HEC-eve, ishte fshati Labinot Mal në Elbasan. Dëgjesa publike ku ishin të pranishëm dy ministra, kishte në thelb burimin e fshatit, dhënë një kompanie për HEC.

Janë banorë të fshatit Labinot Mal në qarkun Elbasan, burimi i fshatit të të cilëve i është dhënë një kompanie për ndërtimin e një HEC-i. Shqetësimi u shpreh gjatë bashkëbisedimit me Ministren e Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku dhe Ministrin e Mjedisit, Blendi Klosi, të mbërritur në fshat për llogari të aksionit të kontrollit të ligjshmërisë së zbatimit të kontratave të HEC-eve në vend.

 “Duhen respektuar kontratat të cilat janë lidhur për krijimin apo zhvillimin e këtyre HEC-eve. Sepse shpesh ndodh, që duke vënë HEC-et në punë kanë ngelur fshatrat pa ujë, pa ujë vaditje, pa ujë të pijshëm. Ne nuk do të prishim kurrë në mënyrë arbitrare kontratat, por nga ana tjetër jemi të predispozuar plotësisht për të mbrojtur të drejtat e banorëve kudo që ato ndodhen dhe për të ruajtur pjesën mjedisore e cila vitet e fundit ka marrë një rëndësi të veçantë edhe për vetë ju”.

Ministri i Mjedisit, Klosi,  tha se dikasteri që drejton ka ngritur një grup pune për analizimin e gjithë problematikës së shfrytëzimit të burimeve ujore në vend.

“Ne duam të kuptojmë nga biseda me ju, nëse vendimmarrja që është marrë deri tashmë përsa i përket HEC-it a është e drejtë apo e gabuar, ne duam të kuptojmë sesa vlera ka që ne të gjejmë raportin e drejtë ku mund të zhvillojmë industrinë dhe për të prodhuar energji të gjelbër ku kemi mundësi të mbrojmë mjedisin, natyrën dhe të dëgjojmë komunitetin”./abcnews.al