Policia e Tiranës dhe agjentët specialë u investuan në arrestimin e një mjeku në Spitalin e Traumës, i cili akuzohet se u merrte ryshfet pacientëve.
Pas ankesave të qytetarëve se në Spitalin e Traumës ishte një mjek i cili ju kërkonte ryshfet gjatë shtrimit, policia infiltroi një agjent i cili u shtir si pacient, dhe në momentin që i ofroi 20 mijë lekë, u bë arrestimi në flagrancë i mjekut F.M, i cili tashmë ndodhet i shoqëruar në ambientet e policisë.
Padyshim që goditja e korrupsionit është për tu duartrokitur në një kohë që ky fenomen është bërë gangrenë në shoqërinë shqiptare, por pyetja që lind është: A është sot korrupsioni i bluzave të bardha problemi më i madhe i shoqërisë shqiptare?
Pyetje të cilës edhe pse çdo shqiptar e di fare mirë përgjigjen, u takon autoriteteve të zbatimit të ligjit që të japin një përgjigje shteruese.
Ajo për të cilën shqiptarët sot janë të interesuar më shumë se kurrë më parë janë zbulimi i ngjarjeve kriminale dhe autorëve që qëndrojnë pas tyre, pasi vetëm në muajt e verës dhe në fillim shtatorin patëm një sër ngjarjesh kriminale, ku më i fundit ishte ekzekutimi i 19-vjeçarit Erjon Xhenje, i cili u vra teksa pinte kafen në një lokal në Shkodër, ngjarje për të cilën policia ka shpallur në kërkim Bajram Çekorjan dhe dy shtetas të tjerë.
Ndërkohë që për afro dy muaj një tjetër ngjarje madhore mbetet mister, ajo lidhet me fatin e “mbretit të lojërave të fatit”, Ervis Martinaj, për të cilin ende nuk ka asnjë informacion zyrtar nga ana e Policisë së Shtetit.
Pikërisht për këtë mister u shkarkua nga detyra edhe Drejtori i Përgjithshëm in Policisë së Shtetit, Gledis Nano, pasi sipas vetë kryeministrit Edi Rama, kjo ngjarje duhet të ishte zbardhur dhe se nuk mund të vazhdojë pafundësisht si një telenovelë mediatike.
Ndërkohë që një tjetër gangrenë edhe më e madhe se korrupsioni i bluzave të bardha është përdorimi i policëve që paguhen nga taksat e qytetarëve shqiptarë nga bosët e krimit.
Në zyrën e Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe të Drejtorit të ri të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, janë emrat e 13 shefave të Policisë së Tiranës, të cilët sipas dëshmisë së dhënë nga efektivi (i arrestuar) Jeton Lami, paguhen nga “bosët e krimit”. Deri më tani ka zero reagim nga ana e uniformave blu për të pastruar radhët e veta nga këta policë të korruptuar, që përveç taksave të shqiptarëve e kanë emrin dhe në bordorotë e bosëve të krimit.
Gjithashtu pak ditë më parë kryeministri Edi Rama ndërsa fliste për fenomenin e ndërtimeve pa leje në Tiranë, tha se këto “kërpudha” në mes të kryeqytetit janë bekuar nga inspektorët dhe komisarët në lagjet e kryeqytetit, pasi kanë marrë para nën dorë, por ajo që kemi parë deri tani kanë qenë vetëm disa kate shtesë pa leje që janë vënë nën sekuestro, por asnjë nga këta inspektorë të çohet para drejtësisë.
Nga ana tjetër bota e krimit dhe bosët e drogës vijojnë qetësisht të shkarkojnë dhe ngarkojnë tonelata drogë në brigjet shqiptare, si përfundim policia kap vetëm sasinë e lëndëve narkotike, por asnjë të arrestuar, madje nuk ika as emra të dyshuar.
Duke renditur disa prej këtyre ngjarjeve kriminale dhe misterioze që shqetësojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve shqiptarë anë e mbanë vendit çdo ditë, rikthehemi sërish tek pyetja: A janë vërtetë mjekët e korruptuar problemi më i madh me të cilin duhet të merret aktualisht Policia e Shtetit?
/T.H/Abcnews.al/