Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për 41-vjeçarin Ekerem Skureni, drejtuesin e automjetit që aksidentoi tre të mitur disa ditë më parë pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Ngjarja ndodhi më 25 qershor, kur tre fëmijë të moshave 9 dhe 11 vjeç, duke lëvizur me monopatina elektrikë, kaluan rrugën në semafor të kuq. Në atë moment, mjeti tip “Renault”, i drejtuar nga Skureni dhe në shërbim të një kompanie private, i përplasi me shpejtësi të lartë.
Të miturit mbetën të plagosur rëndë dhe u dërguan me urgjencë në spital.
9 dhe 11 vjeçari që ishin në pavion kanë lënë ambjentet e spitalit në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërsa i mituri tjetër, 11 vjeç, vijon në gjendje të rëndë shëndetësore në reanimacion.
Ekspertiza rrugore konfirmoi se frenimi ndodhi vonë dhe nuk shmangu dot përplasjen fatale.
Ekerem Skureni u arrestua pas ngjarjes dhe në seancën e zhvilluar të diel, Gjykata vendosi ta lërë në arrest në shtëpi, për shkeljeve të rënda në qarkullimin rrugor.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka ngjallur debate mbi sigurinë rrugore, përdorimin e monopatinave nga të miturit, si dhe mungesën e përdorimit të kaskave mbrojtëse./abcnews.al



