Gostivari do të mbajë 3 ditë zie për viktimat e aksidentit të një dite më parë në aksin Shkup-Tetovë, për faktin se një pjesë e 14 viktimave ishin nga ky qytet. Ndërkohë, zëvendës ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu ka garantuar të afërmit e viktimave se hetimet mbi tragjedinë vazhdojnë.
Dhjetëra qytetarë dhe familjarë ishin grumbulluar para komunës së Gostivarit, të cilët deklaruan se kjo ngjarje ishte një tragjedi e madhe. Ndërkaq, mbledhje përkujtimore u mbajt edhe në komunën e Vrapçishtit, ku morën pjesë përfaqësues të lartë politikë dhe përfaqësues fetarë.
Zv/ministri i Punëve të Brendshme Agim Nuhiu, i cili ishte i pranishëm në këtë mbledhje përkujtimore deklaroi se akoma po hetohet rasti dhe nuk është gjetur shkaku që ka çuar në këtë tragjedi.
Ndryshe, qyteti i Gostivarit dhe komunat përreth janë tronditur nga kjo ngjarje tragjike ku janë ndërprerë në mes jetët e 14 udhëtarëve të cilët ktheheshin nga Shkupi për në Gostivar./abcnews.al