Aksidenti tragjik në Librazhd, heroi që shpëtoi 2 jetë rrëfen në Abcnews.al 80 minutat e tmerrit: Peng që nuk i shpëtova dot të gjithë

schedule22:41 - 2 Shkurt, 2022

schedule 22:41 - 2 Shkurt, 2022

1 shkurti ishte një ditë tragjike për një familje nga Kukësi e cila ishte nisur për të shkuar në Korçë për të festuar një ditëlindje. Lumturia e tyre u ndërpreu në mes pasi pësuan një aksident me një makinë tjetër dhe përfunduan në lumin Shkumbin.

Viktimë e aksidentit mbetën Elmi Keqa 53 vjeç, Elona Keqa, 35 vjeç dhe Elis Sulmataj 18 vjeç, ndërsa Elisiado Keqa, 10 vjeç dhe Ambra Mhilli, 20 vjeçe kanë mbetur të plagosur dhe u dërguan në Spitalin e Traumës në Tiranë. Familja nga Kukësi ishin nisur drejt Korçës për të festuar një ditëlindje por fati i keq bëri që festa të kthehej në mort. Të tjerë familjarë udhëtonin në një tjetër makinë që ishte pas.

Abcenws.al ka kontaktuar sot me personin e parë që shkoi në greminën ku kishte rënë “Benzi” me 5 persona brenda në lumin Shkumbin. Akil Rrumbullaku në një intervistë për Abcnews.al ka rrëfyer 80 minutat e ferrit të përjetuar në përpjekje për të mbajtur në jetë dy të mbijetuarit.

Akili i cili u kthye në një hero ditën e aksidentit, tregon se ishte ndalur buzë rrugës kur kishte parë të grumbulluar disa persona. Aty tregon Akili, ishte babai i njërit prej djemve që ishin në makinën që kishte rënë në greminë. Terreni i thepisur e ka bërë tejet të vështirë punën për të shpëtuar personat që ishin në makinë.

“Kam vajtur kur kam parë njerëz në buzë të rrugës, që makina kishte rënë në greminë në Shkumbin. Kam qenë i pari që kam rënë deri poshtë tek makina për tu dhënë ndihmë. Kam qenë bashkë me babanë e djalit që vdiq. Më pas ka ardhur një djalë tjetër dhe më pas ka ardhur edhe një person i katërt. Kam nxjerrë tre kufomat e para. Ndërsa djali dhe ajo vajza kishin shenja jete.” rrëfen Akil Rrumbullaku.

“Nuk pata mundësi të ndiqja deri në fund ngjarjen se ika në spital më pas. Më dha Zoti forcë. Edhe sot kam shkuar në spital dhe djalin mund ta nisin për në Itali për kurim.” Ka shtuar ai.

Sipas asaj që rrëfen Akili, Elmi Keqa 53 vjeç dhe Elis Sulmataj 18 vjeç ishin në pjesën para të automjetit dhe nuk ka mundur që t’i tërheq për t’i nxjerrë jashtë. Ai tregon se me ndihmën e një personi tjetër që mbërriti pas tij në vendin e ngjarjes kanë mundur të nxjerrin jashtë makinës Elisiado Keqan, 10 vjeç, Ambra Mhillin, 20 vjeçe si dhe Elona Keqan, 35 vjeç.

Situata ishte e rëndë për ta, pasi çdo minutë që kalonte shuante mundësitë për të mbijetuarit. Akili rrëfen se ai ka kthyer në jetë djalin 10 -vjeçar duke i bërë frymëmarrje artificiale. Në jetë nga personi tjetër që kishte zbritur në vendin e ngjarjes është mbajtur edhe vajza 20-vjeçare Ambra Mhilli. Me zërin që i dridhet Akili tregon që ai bashkë me djalin tjetër që ndodheshin afër makinë nuk mundën t’i jepnin ndihmë 35-vjeçares Elona Keqani pasi u duhej të mbanin në jetë Elisiadon dhe Ambran.

“I kam gjet nga mbrapa. Djali dhe shoferi ishin nga para dhe nuk i nxora dot. Se ishin me rrip dhe sipër makinës ishte një pemë.”

“Edhe atë që kemi nxjerrë ishte terreni shumë i vështirë. Është vonuar jashtë mase ambulanca dhe ndihma. Nuk patëm asnjë ndihmë. Një orë e 20 minuta kam ndenjur poshtë duke u bërë frymëmarrje duke i mbajtur gjallë. Pashë që nuk kisha zgjidhje tjetër dhe mora vetëm djalin në krah pastaj dhe u nisa. Më kanë ndihmuar në mes të rrugës disa policë se ngela në mes të rrugës.”

“Janë vonuar shumë dhe nuk kishin as litar për t’i tërhequr. Se u thoja të paktën të na tërhiqnin lart. Në ujë kam qenë 1 orë e 20 minuta me tre viktima. Unë i ati i djalit dhe një djalë tjetër që na ndihmoi.”

“I ati i djalit ishte lart dhe tha që kanë rënë poshtë. Atëherë i kam thënë hajde se ra nata dhe ikim bashkë poshtë.” tha Akili.

Pengu i Akilit është se pse nuk mundi të shpëtonte edhe të tjerët. Sipas tij ndihma nga shteti ishte e vonuar pasi nuk kishin mjetet e duhura, madje as litar për t’i tërhequr. Ai shpreson që 10-vjeçari që me duart e veta e mbajti në jetë të bëhet mirë, ndërsa flet se vogëlushi mund të niset drejt Italisë për ndihmë më të specializuar.

“Mund të ishte bërë edhe më shumë. Po të kisha pasur disa shokë të fortë do t’i kisha shpëtuar të gjithë. Nuk kisha ndihmë nga shteti dhe nuk erdhi askush që t’i merrte ata persona që nxirrja. Se i nxirrja sipër makinës. Nuk isha buzë lumit, por anësorja e lumit ishte thikë  e prerë. I nxirrja në lart makinës se nuk kisha ku ti leja në tokë se ishte thikë në lum. Ishte jashtë mase terreni i vështirë. Kam rrëshqitur nëpër ferra deri sa kam zbritur atje. Ishte fati i keq i tyre që nuk ka ndihmuar fare terreni. Do kisha bërë edhe më shumë. Atje e kam mendjen pse nuk i shpëtova të gjithë. Do jem shumë i lumtur nëse fëmija do jetojë. Do lind për së dyti edhe vetë nga kënaqësia. Një orë e 20 minuta i kam bërë frymëmarrje se ishte bllokuar. Derisa filloj duke lëviz dhe u rikthye në jetë. Edhe djali tjetër është marrë me atë vajzën, ndërsa gruan tjetër nuk kishim njeri tjetër të na ndihmonte dhe t’i jepnim ndihmën e parë. Nuk ia dhamë dot ndihmën e parë. Pastaj për gjysmë ore po na luante mendja. Ishte situatë shumë e rëndë. Nuk patëm ndihmë. Nuk patëm shokë që të na ndihmonin më shumë” ka rrëfyer Akil Rrumbullaku.
/abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!