Spanja shpalli tri ditë zi kombëtare, njoftoi kryeministri Pedro Sanchez, i cili shtoi edhe se do të kishte një ”transparencë absolute” për shkakun e aksidentit që shkaktoi 39 viktima dhe 170 të plagosur.
Një tren, i cili ishte nisur dje nga Malaga në orën 18:40 me destinacion stacionin Puerta de Atocha të Madridit, me 317 pasagjerë, nxori nga shinat tre vagonët e tij të fundit duke u përplasur me një tjetër tren Renfe që shkonte në Huelva, i cili gjithashtu doli nga shinat.
Përplasje fatale e trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë ka shkaktuar sipas raportimeve 39 viktima dhe 170 të plagosur, ku 24 prej tyre janë në gjendje të rëndë, nga të cilët katër janë të mitur.
Një numër i madh forcash shpëtimi mbërritën në vendngjarje duke u përpjekur të nxjerrin njerëzit e bllokuar nga rrënojat.
Sipas ministrit spanjoll të Transportit, Oscar Puente, linja ku ndodhi tragjedia ishte modernizuar së fundmi.
Ndërkaq më shumë se 200 trena janë prekur nga pezullimi i trafikut hekurudhor në linjat me shpejtësi të lartë midis Madridit dhe qyteteve andaluziane të Seviljes, Kordobës, Malagës dhe Huelvës./abcnews.al


