Aksidenti tragjik, familja nga Kukësi po shkonte në Korçë, dëshmitari: Barriera u prish para dy muajsh

schedule13:31 - 1 Shkurt, 2022

schedule 13:31 - 1 Shkurt, 2022

Ndihmën e parë familjes fatkeqe nga Kukësi që përfundoi në lumin Shkumbin paraditen e sotme ia kanë dhënë banorët e zonës por vetëm dy prej tyre u nxorën të gjallë. Një prej tyre tregon se kanë arritur të nxjerrin djalin që i mbijetoi tragjedisë për shkak të peshës së lehtë. Ai shprehet se është hera e tretë që ndodh një aksident këtë vend, ndërsa shtoi se barriera mbrojtëse ishte prishur prej dy muajsh.

Lexo edhe: Zbulohet identiteti i viktimave që humbën jetën nga aksidenti në Librazhd

“Erdha me vrap. Në atë kohë nuk pati njeri vërdallë. Shkuam atje. Vetëm atë djalin nxorëm se ishte peshë e lehtë. Tjerët nuk i nxorëm dot. Di se janë tre të vdekur. Gruaja doli e dyta pas djalit. Ishte 8 metra poshtë, Duheshin shkallë të gjata.

Kemi mbajtur njëri tjetrin mezi e kemi nxjerrë djalin. Edhe shoferi atje brenda ishte. Ikëm ne se erdhën ata. Më shpejt erdhi drejtori se ata. E treta herë që ka ndodhur në këtë vend. Ka një dy muaj që është prishur barriera. Ata nuk marrin masa. Se duhet të merrnin masa. E prishur ka dy muaj që është prishur”, thotë ai.

Burime bëjnë me dije për ABC se çifti Keqa me djalin e tyre Elisjado Keqa dhe dy fëmijë të tjerë të afërm të tyre ishin nisur drejt Korçës.

Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 09:00 të paradites së sotme ku automjeti ku po udhëtonin viktimat u përplas me një tjetër mjet dhe më pas përfundoi në lumin Shkumbin. Nxjerrja e trupave u bë akoma më e vështirë për shkak të motit të keq. Hetimet në lidhje me rrethanat e plota të kësaj ngjarje po ndiqen nga afër nga drejtuesit e prokurorisë dhe policisë së Elbasanit. /abcnews.al