Aksidenti në Levan, mungesa e ndriçimit dhe e sinjalistikës rëndoi bilancin

schedule14:16 - 7 Janar, 2019

schedule 14:16 - 7 Janar, 2019

Një ditë pas aksidentit tragjik në aksin Levan- Tepelenë, ABC News shkon sërish në vendin e ngjarjes për të ndërtuar skemën si ndodhën dy aksidentet njëri pas tjetrit. Dy persona humbën jetën në këtë ngjarje dhe 5 të tjerë mbetën të plagosur.

Nën dritën e diellit është një rrugë e zakonshme. Por natën e së dielës errësira i mori jetën dy personave dhe la të plagosur të tjerë. Famëkeqe për bilancin e aksidenteve, autostrada Levan – Tepelenë shënoi një nga aksidentet më të rënda. Tragjedia u shoqërua me kaos në spitalin e Fierit, ku nuk dihej kush ishte gjallë e kush jo.

Stafi mjekësor i spitalit të Fierit ka rrëfyer se vendi i ngjarjes i ngjante një sheshi beteje. Të plagosurit ndodheshin nëpër parcela toke të shpërndarë në drejtime të ndryshme larg njëri tjetrit.

I plagosuri në spital: “Shpejtësi e paparë, as qëndroi, as frenoi”.

Në gjendje të rëndë është drejtuesi i mjetit të parë që përplasi këmbësorin.  Bashkë me të afërmit e këtij të fundit po prisnin ambulancën kur u përplasën nga makina tjetër. Jorgo Meraj u dergua në spitalin e traumës në Tiranë në gjëndje të rëndë. Të lënduarit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.

Aksidenti ndodhi në autostradën Levan Tepelenë në afërsi të fshatit Varibop. Një banor i zonës me probleme mendore po ecte në autostradë kur u përplas nga një makinë tip ford.

Drejtuesi i fordit bashkë me të afërmit po prisnin ambulancën kur një tjetër makinë, tip opel i godet të gjithë. Çdo gjë ndodhi në pak minuta.

Automjetet ishin me shpejtësi normale për një autostrade. Por kjo e fundit natën është praktikisht rrugë terri, në mungesë të ndriçimit dhe sinjalistikës.

Gazetare e ABC News, Fier: Valbona Daci

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!