Shefi i Trafikut në Tiranë: Kodi Rrugor të ndryshohet në bazë të statistikave të aksidenteve

schedule18:30 - 10 Mars, 2023

schedule 18:30 - 10 Mars, 2023

Shefi i Trafikut në Tiranë, Taulant Gjoka, në një intervistë për Abc News, tha se shpejtësia tej normave të lejuara dyshohet të ketë qenë shkaku i aksidentit që mori tre jetë njerëzish dhe plagosi tre të tjerë. I pyetur nëse duhet të ndryshojë Kodi Rrugor për të shmangur ngjarje të tilla, ai tha:

“Sa i përket masave, duke u nisur nga aksidente të kësaj natyre, janë grupe dhe institucione të tjera që duhet ta mendojnë duke u nisur nga statistika dhe të ketë iniciativa për ta përmirësuar. Kodi rrugor ndryshohet dhe është gjithë kohën duke u përshtatur me sjelljet agresive që kemi. Por si duket ka disa dispozita që ende nuk e japim impaktin e parandalimit në aspektin e sigurisë në rrugë.”, tha Gjoka.

Aksidenti i rëndë ndodhi pasditen e së enjtes. Përveç tre viktimave, nga ky aksident mbetën edhe tre të tjerë të plagosur rëndë, të cilët po marrin kujdes shëndetësor në spital. 20-vjeçari Klevis Ruçaj ka qenë duke udhëtuar në unazën lindore me drejtim lëvizjeje nga Farka për tek rreth rrotullimi pranë TEG-ut.

Pasi ka humbur kontrollin, duke thyer barrierat rrethuese të mbikalimit, ka përfunduar në autostradën Tiranë-Elbasan, duke aksidentuar automjetin tjetër tip “Hyndai”, me drejtues Qemal Kurtin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!