Humbi këmbën, vajza tregon tmerrin nga aksidenti i djeshëm: Po prisja një shoqe, makina erdhi papritur

schedule11:30 - 11 Qershor, 2021

schedule 11:30 - 11 Qershor, 2021

Xhesina Gega, 24-vjeçarja që u aksidentua ditën e djeshme në rrugën “Xhefiza Keko” në Tiranë ka rrëfyer për ABC të gjithë skenën e tmerrshme që përjetoi.

E reja është në gjendje të stabilizuar tek spitali i Traumës, por këmbën e ka humbur në moment. E kontaktuar nga gazetarja Ema Shazivari, 24-vjeçarja ka thënë se ka qenë duke pritur në trotuar shoqen e saj pasi kishin planifikuar të takoheshin. Gjithashtu konfirmohet se Xhesina Gega nuk ishte shtatzënë.

“Më kujtohet e gjithë skena. Isha duke pritur një shoqe, për të dalë. Shtëpinë e kam në zonën e freskut. Në ato moment po binte shumë shi. Përballë shoh një makinë që po vinte me shpejtësi. Për shkak të shiut mu turbullua pak shikimi. Kujtoj përplasjen. Çdo gjë ndodhi shumë shpejtë. Nuk humba ndjenjat. Kujtoj që kisha shumë dhimbje. Ambulanca për fat të mirë erdhi shpejt,” ka thënë e reja.

24-vjeçarja ende nuk i ka takuar familjarët pasi ka thënë se prindërit i ka në Greqi.  E reja iu nënshtrua menjëherë operacionit sapo mbërriti tek Trauma, ndërsa mjekët thonë që po bëjnë gjithçka.

Lexo edhe: Me shpejtësi në trotuar i këputi këmbën të resë, arrestohet djali i ish-zv-drejtorit të policisë

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në rrugën “Xhanfize Keko”, 24 vjeçarja u përplas nga 19-vjeçari Jehon Breçani, djali i ish-zv.drejtorit të policisë, Erzen Breçani. 19-vjeçari po lëvizte me shpejtësi të madhe dhe humbi kontrollin, ku përplasi rëndë të renë.

Gjithashtu në ambientet e spitalit është parë edhe Erzen Breçani, i cili është interesuar për gjendjen e të rese që u aksidentua nga i biri. Ky i fundit është arrestuar nga policia. g.v/abcnews.al