Aksidenti i ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në ish-sheshin “Shqiponja” po hetohet si atentat nga policia e Tiranës. Në makinën e blinduar me targa të falsifikuara ruse ishte 34-vjeçari Eldi Dergjini, i cili kishte ndryshuar mbiemrin për shkak të precedentëve të shumtë penal. Ai po hetohet edhe për disa ngjarje në kryeqytet që kanë mbetur pa autor.
Pavarësisht se u raportua si një aksident rrugor, Policia e Tiranës po e heton rastin ku u gjet përmbys një automjet luksoz dhe i blinduar si një atentat i mbetur në tentativë.
Eldin Dergjini, i cili pretendon se ishte ai në drejtim të mjetit tip “Mecedez-Benz G Class” me vlerë 200 mijë euro, ka shkuar në një spital privat rreth 1 orë pas ngjarjes të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës pranë ish-sheshit “Shqiponja”. Ai ka deklaruar se pas makinës së tij të blinduar me targa ruse ka qenë një automjetet tjetër që kryente manovra të dyshimta.
Sipas 34-vjeçarit Dergjini, ai u detyrua të shtonte shpejtësinë, pasi një tjetër makinë i zuri rrugën nga para.
“Përshpejtova dhe humba kontrollin e makinës. U largova me një taksi dhe shkova për ndihmë mjekësore më vonë. Kam qenë i vetëm në automjet”, u shpreh Dergjini.
Dëshmia e të riut nuk ka qenë shumë bindëse për grupin hetimor pasi, ende nuk është zbuluar se kush ishte taksisti që e dërgoi në spital, por as makina që e ka goditur nga pas.
Eldin Dergjini udhëtonte me një makinë të blinduar, pasi dyshohet se i ruhej një atentati të mundshëm ndaj tij. 34-vjeçari po hetohet edhe për disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura kohët e fundit në kryeqytet por që kanë mbetur pa autor.
Ai kishte falsifikuar targat e mjetit të tij me ato të një automjeti tjetër po aq luksoz, si “Bentley Continental GT”, e cila rezulton e regjistruar në shtetin rus. Nuk dihet se, prej sa kohësh ka lëvizur në territorin shqiptar një makinë e blinduar e cila kishte edhe parregullsi në dokumentacion.
Eldin Dergjini rezulton të jetë me precedentë të mëparshme penale dhe për këtë arsye kishte ndryshuar edhe mbiemrin e tij nga Barova në Dergjini. Ai ka qenë i dënuar në vendin tonë për kundërshtim të punonjësit të rendit publik, armëmbajtje pa leje si edhe trafik droge në Itali./ABC News Albania 24/7