Drejtori i policisë rrugore, Altin Qato foli në Abc Live në lidhje me aksidentin e djeshëm në Rrugën e Kavajës në Tiranë, ku një i droguar me makinë luksoze me shpejtësi përplasi në rrugë çiftin Arjan dhe Vilma Konomi së bashku me foshnjën e tyre 3-muajshe.
Qato thotë se shoferi i mjetit, 39-vjeçari Ajas Sulejmani është aktualisht nën arrest dhe se ndaj tij rëndojnë 3 akuza.
Lexoni KËTU gjithçka mbi aksidentin e djeshëm
Drejtori i policisë pohoi se Sulejmanit do t’i hiqet leja e drejtimit për 24 muaj.
Sipas drejtorit të policisë rrugore, në të kaluarën 39-vjeçari është identifikuar 8 herë për shkelje të rregullave rrugore. Policia ka marrë masa përkatëse, sipas ligjit.
“Dje kemi qenë para një ngjarjeje tepër të rëndë. Kemi bërë një analizë të plotë të situatës. Edhe pse autori është larguar në momentin e parë, ai u kap . Është marrë masa administrative. Është bërë testi i alkoolit për shoferin, më pas ai i lëndëve narkotike. Ai ka dalë përdorues i lëndëve narkotike. I është hequr patenta për 24 muaj”, u shpreh Qato në Abc Live.
Ndër të tjera Qato tha se gjatë këtij viti janë dyfishuar masat administrative ndaj shkelësve te rregullave të qarkullimit rrugor.
“Ne kemi detyrim të identifikojmë çdo shkelje. Shpesh herë na akuzojmë se jemi të ashpër. Kur ndodh aksidenti na thonë se nuk jemi të ashpër. Kemi dyfishim të identifikimit të shkeljeve rrugore, falë policisë rrugore. Ne identifikojmë shkeljet policia ka sugjeruar ashpërsimin e neneve të veçanta për shkeljet e rregullave rrugore që janë të rrezikshme, siç është alkooli, droga”, tha Qato.
Kush kapet me telefon në timon 3 herë, i hiqet patenta për 3 muaj
“Nëse një shofer kapet 3 herë brenda vitit me telefon, i hiqet leja e drejtimit me 3 muaj. Nëse parakalon gabim 2 herë ne vit, sërish hiqet leja e drejtimit për tre muaj.”
Ndër të tjera drejtori i policisë tha se po diskutohet për ashpërsim të masave administrative, për shkelje rrugore që çojnë në fatalitet të këmbësorëve dhe drejtuesve të mjeteve.
/abcnews.al/