Polumbarët kanë mbërritur te ura e Mbrostarit në Fier, ku dyshohet se një automjet ka rënë në lumin Seman gjatë orëve të para të mëngjesit.
Abc News mëson se makina ishte marrë me qira nga shtetasi Mateo Lika. Dyshimet se makina ka rënë në lumë u ngritën pasi barrierat e urës ishin shkatërruar.
Për më tepër, aty pranë është gjetur dhe targa e makinës, e cila sipas verifikimeve rezultoi se i përket makinës me qira që ka marrë Mateo Lika.
Siç bëhet me dije në njoftimin e policisë, po bëhen kërkimet nëse makina ka rënë në lumë pasi numri i telefonit i të riut ka dalë i fikur.
“Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në vendin e quajtur “Ura e Mbrostarit”, janë konstatuar të thyer parmakët anësore të njërit krah të kësaj ure. Në anë të rrugës është gjetur targa e një automjeti. Nga verifikimet rezultoi se kjo targë i përket një automjeti të marrë me qera nga shtetasi Mateo Lika, 26 vjeç, banues në Fier, me të cilin nuk është bërë e mundur marrja e kontaktit pasi numri telefonit del i fikur.
Priten polumbarët e Renea-s për të kontrolluar përgjatë lumit me qëllim gjetjen e automjetit nëse ka rënë në lum. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.”, njoftoi policia. /abcnews.al