Aksidentet rrugore, INSTAT: Janar-Nëntor 2018 humbën jetën 190 persona

schedule19:04 - 21 Dhjetor, 2018

schedule 19:04 - 21 Dhjetor, 2018

Aksidentet rrugore në vendin tonë janë ndër shkaktarët kryesorë që marrin jetë njerëzish, kryesisht jetët e të rinjve. Sipas statistikave të publikuara nga INSTAT gjatë muajve Janar-Nëntor 2018, në rang kombëtar kanë humbur jetën në aksidente rrugore 190 persona.

Çdo dy ditë mesatarisht tre shqiptarë humbin jetën në aksidente rrugore në vend. Sipas të dhënave të INSTAT gjatë periudhës Janar-Nëntor në rang kombëtar kanë humbur jetën 190 persona nga aksidentet rrugore, duke bërë kështu që të jenë ndër shkaktarët më të mëdhenj të humbjes së jetës tek personat me moshë të re në vendin tonë.

Në muajin nëntor 2018 po sipas INSTAT numërohen 130 aksidente rrugore nga 177 aksidente të ndodhura në Nëntor 2017, duke u ulur me 26,6 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në Nëntor 2018, numri i të aksidentuarve është 171 persona nga 235 që ishte një vit më parë, duke u ulur me 27,2 %. Sipas INSTAT në Nëntor 2018, aksidentet rrugore në 75,4 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së gabuar të drejtuesit të mjetit. Ndërsa gjatë muajve Janar-Nëntor 2018, aksidentet rrugore në 21,9 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së pakujdesshme të këmbësorve.

Edhe sipas raporteve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë rrugët në Shqipëri vrasin më shumë se në çdo vend tjetër të Europës. Me 13.7 vdekje për 100 mijë banorë, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të vdekjeve nga aksidentet në Europë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!