Aksident në Lezhë-Shkodër/ Makina përplaset me trajlerin me targa serbe, një viktimë dhe 4 të plagosur

schedule23:06 - 23 Korrik, 2025

schedule 23:06 - 23 Korrik, 2025

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e katër të tjerëve ka ndodhur në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, në afërsi të fshatit Piraj.

Një autoveturë është përplasur me një trailer me targa serbe dhe më pas ka përfunduar jashtë rruge, duke u rrëzuar në një kanal. Si pasojë e përplasjes, një grua e moshuar që udhëtonte si pasagjere në autoveturë ka humbur jetën në vend, ndërsa tre pasagjerë të tjerë, mes tyre edhe një fëmijë, si dhe drejtuesi i mjetit, kanë mbetur të plagosur.

Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë rrugore, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak për aksidentin është bërë një parakalim i gabuar nga ana e trailerit me targa serbe, duke shkaktuar përplasjen fatale.

Grupi hetimor po punon për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!