Në lule të rinisë, vdes në aksident 19-vjeçari në Lezhë

schedule13:08 - 30 Prill, 2022

schedule 13:08 - 30 Prill, 2022

Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e sotme, rreth orës 12:25  në rrugën Lezhë-Shëngjin, në vendin e quajtur ” Knalla”.

Një automjet ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanalin anësor.

Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë drejtuesi i makinës, Armando Pacani 19 vjeç, informon policia.

Burime për Abc bëjnë me dije se pasagjeri i cili ndodhej në makinë është në gjendje të rëndë.

Shkak i aksidenti dyshohet se  ka qenë shpejtësia në kthesë.

I riu mendohet se është mbytur për shkak se mjeti u kthye përmbys. Kalimtarë të rastësishëm kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë duke i dërguar të rinjtë me urgjencë në spitalin rajonal të Lezhës, por 19 vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje ku po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Rruga që lidhet me Kunen ka dy kthesa të forta që janë bërë të rrezikshme dhe nuk mungojnë rastet e aksidenteve.

Aty këshillohet lëvizja me shpejtësi të ulët pasi kthesat janë rreth 75 gradë dhe janë burim aksidenti.

Ky segment është hapur si një mundësi për të shkurtuar lëvizjen e mjeteve të vizitorëve dhe pushuesve drejt zonës së Kunes./abcnews.al/