Pesë persona kanë mbetur të plagosur pas përplasjes së dy automjeteve në rrugën e Kombit, mes të cilëve dy fëmijë. Raportohet se aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 13:00 të së shtunës në afërsi të Milotit, ku u përplasën me njëra-tjetrën një automjet tip ‘Golf 6’ dhe një fuoristradë tip ‘Benz’.
Nga aksidenti mbetën të plagosur drejtuesi dhe pasagjerët në Golf-in, pjesëtarë të së njëjtës familje nga Kosova. Ata u dërguan me urgjencë për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhen nën kujdesin e bluzave të bardha, ndërsa drejtuesi i fuoristrafës, që udhëtonte i vetëm, mori lëndime të lehta.
Nga aksidenti u bllokua për disa minuta rruga e Kombit. Nga të dhënat paraprake të policisë, bëhet e ditur se shkak për përplasjen e fortë është bërë parakalimi i gabuar i Golf-it, drejtuesi i të cilit humbi kontrollin e mjetit./abcnews.al