Një aksident tragjik ka ndodhur pasditen e sotme pranë fshatit Kabash, ku një automjet, i cili drejtohej nga një 39-vjeçar ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në humnerë. Si pasojë e plagëve të marra në vendin e ngjarjes, njëra nga pasagjeret që udhëtonte në këtë mjet ka humbur jetën.
Viktima është identifikuar si Dëshire Hoxha, 43 vjeçe, e cila punonte si infermiere në fshatin Kabash të Gramshit. Në këtë aksident fatal, udhëtonte edhe një mësuese, e identifikuar si Albana Boja e cila së bashku me drejtuesin e kamionit, Shaban Kotorri po merr ndihmën mjekësore në spitalin e Traumës në kryeqytet.
Në këtë fotografi shihet edhe kamioni I rënë në humnerë në aksin rrugor Gramsh-Poçan. Kamioni ku udhëtonin tre personat ka dalë nga rruga duke u përmbysur në humnerë, e për pasojë mbeti viktimë 43-vjeçarja.
Ndonëse shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta, shoferi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e kamionit. Ka qenë ky i fundit ai, i cili lajmëroi policinë dhe ambulancën pasi përfundoi në humnerë. Me mbërritjen e policisë dhe zjarrfikëses u bë e mundur nxjerrja e të tre personave të cilët ndodheshin në kamion. Për aksidentin tragjik vijojnë hetimet për të përcaktuar saktë rrethanat dhe shkaqet.


