Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mesditën e sotme, rreth orës 13:35, në aksin nacional Vlorë–Fier, pranë një karburanti.
Sipas informacioneve paraprake, një motomjet tip “Piaggio” ka humbur kontrollin për shkaqe ende të paqarta dhe ka dalë nga rruga. Mjeti është përplasur fillimisht me një shtyllë elektrike dhe më pas me një shtyllë tjetër druri, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe pasoja të rënda për personat në motomjet.
Si pasojë e përplasjes, dy persona që ndodheshin në mjet kanë mbetur të plagosur rëndë. Të lënduarit, identiteti i të cilëve nuk është bërë ende i ditur, janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore. Fatkeqësisht, njëri prej të plagosurve 19-vjeçari Luan Llanaj nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa16-vjeçari Tomor Brati ndodhet në gjendje të rëndë, nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë rrugore dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe përcaktimin e shkaqeve që çuan në humbjen e kontrollit të mjetit. Policia po punon gjithashtu për identifikimin e viktimës dhe të të plagosurit.
“Sot, rreth orës 13:40, në rrugën “Demokracia”, pranë vendit të quajtur “Pusi i Mezinit”, dy shtetas, duke udhëtuar me një motomjet, dyshohet se kanë humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe si pasojë motomjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shtyllë elektrike.
Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë shtetasi L. Ll., 19 vjeç, ndërkohë që shtetasi T. M. është dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit, si dhe për përcaktimin e shtetasit që ishte në drejtim të motomjetit”, njofton policia./abcnews.al


