S’ka komisione hetimore për AKSHI dhe ARRSH. Konferenca e kryetarëve nuk pranoi dy kërkesat e opozitës. Nga mosdakordësia mes PS dhe PD, dy kërkesat do i kalojnë seancës plenare të së enjtes, ku socialistët nuk pritet të ndryshojnë qëndrim, dhe me shumicë votash do të rrëzohen.
PD kërkoi komisione hetimore për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të ARRSH për realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore dhe për ligjmërinë e funksionimit të AKSHI-t, për vlerësimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve, si dhe për analizimin e rreziqeve për sigurinë kombëtare dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.
Në mbledhjen e konferencës së kryetarëve, opozita është ankuar se mazhoranca socialiste vazhdimisht nuk i pranon ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare. Në anën tjetër, Sekretariati i Etikës ndërmori masa ndëshkuese për 2 deputetë të PD, Flamur Nokën përjashtim me 20 ditë nga parlamenti dhe 10 ditë për Elda Hotin.
U falën Albana Vokshi nga PD dhe Taulant Balla nga PS. Masat ndëshkuese erdhën pas kaosit në seancën plenare të 2 prillit. Taulant Balla i PS kërkoi 1 minutë heshtje për 4 martirët e demokracisë në 1991, por demokratët në vend të nderimit të tyre, zgjodhën të bllokojnë seancën./abcnews.al


